Më 7 tetor, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti mori vendim për t’iu ndarë nga 100 euro të gjithë studentëve të Kosovës, si mbështetje për fillimin e vitit të ri akademik.
Megjithatë, deri më sot asnjë student nuk është pajisur me këtë shtesë financiare.
Ministria e Financave ka bërë të ditur për “Front Online” se afati për aplikim mbetet i hapur deri më 31 tetor, duke u bërë thirrje të gjithë studentëve që plotësojnë kriteret të aplikojnë në kohë.
“Aplikimi për përfitimin e shtesave prej 100 euro për studentë është i hapur deri më 31 tetor, në mënyrë që të gjithë studentët që plotësojnë kriteret të kenë mundësinë të aplikojnë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Ndërkohë, komisioni përgjegjës tashmë ka filluar shqyrtimin e aplikimeve, ndërsa pagesat do të ekzekutohen në faza, pasi të përfundojë procesi i verifikimit.
“Komisioni është në proces të shqyrtimit të aplikimeve dhe mjetet do të ekzekutohen me faza pas shqyrtimit”, ka njoftuar Ministria.
Sipas vendimit të kabinetit qeveritar:
- 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën mes vendbanimit dhe institucionit ku ata studiojnë.
- 6 milionë euro janë ndarë posaçërisht për shtesën prej 100 eurosh për të gjithë studentët, si mbështetje për fillimin e vitit të ri akademik.
Ministria ka siguruar se pasi të përfundojë shqyrtimi i aplikimeve, pagesat do të nisin menjëherë dhe do të realizohen në disa faza për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret.
Studentët që ende nuk kanë aplikuar, kanë afat deri më 31 tetor që të përfitojnë nga kjo mbështetje financiare e Qeverisë në detyrë.



