Presidentja Vjosa Osmani, ka theksuar se e vlerëson rolin e ish-presidentit amerikan Donald Trump për paqen dhe sigurinë globale, duke përmendur se deklarimet e saj në Washington kanë qenë në të njëjtën linjë.
Megjithatë, ajo nuk ka komentuar deklaratat e Richard Grenell, emisar i Donald Trump për misione të posaçme, i cili e kishte akuzuar së fundmi për “manipulim” të fjalëve të Trump.
“Unë kam falënderuar presidentin Trump për rolin e tij në botë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Ne ruajmë Kosovën edhe me mbështetje amerikane. Sa i përket asaj se çfarë kam thënë, unë jam përgjigjur në pyetje, janë deklarata të datës 25 qershor, i ftoj qytetarët që të dëgjojnë nëse kam keqinterpretuar ndonjë gjë,” tha Osmani në një konferencë për media.
Duke folur për Serbinë, presidentja Osmani tha se veprimet e këtij shteti flasin vetë dhe e demantojnë çdo pretendim për paqe.
“Deklaratat e Serbisë se ata janë kinse për paqe, të gjitha demantohen nga veprimet e tyre. Ata kanë kidnapuar policë, kanë hapur rrugë ilegale për të futur armë të nivelit ushtarak, të cilat i kanë marrë nga Ushtria e Serbisë, dhe kanë kryer dhunë ndaj ushtarëve të NATO-s,” theksoi ajo.
Në konferencë, Osmani u ndal edhe te ngërçi politik në vend si pasojë e moskonstituimit të legjislaturës së re, duke paralajmëruar se rasti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nëse deri në fundjavë nuk formohen institucionet.
“Sapo të përfundojë ky vikend, në fillim të javës do ta dërgojmë rastin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Aktgjykimi i mëparshëm i Kushtetueses dhe mosrespektimi i afatit tridhjetëditor për formimin e institucioneve duhet të ketë pasojë juridike,” deklaroi presidentja.
Ajo shtoi se negociatat për koalicion janë përgjegjësi e partive politike dhe se presidenti nuk mund të ndërhyjë në këtë proces, por afatet kushtetuese duhet të respektohen.
“Çka ndodh me institucionet nëse ato nuk konstituohen deri më 26 korrik?” – përmbylli ajo, duke ngritur shqetësimin për pasojat që mund të sjellë zvarritja politike.



