Një incident në mes dy urologëve ka ndodhur në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Policia e Kosovës ka konfirmuar se është iniciuar një rast si “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Sot në Stacionin Policor jugu në Prishtinë është iniciuar një rast sulmi ndaj personit zyrtar, që ka ndodhur rreth orës 08:00, në QKUK. Lidhur me rastin janë intervistuar dy personat e përfshirë. Rasti po hetohet në koordinim me Prokurorinë.” – ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq nga QKUK kanë thënë se do të ndërmarrin procedurat e brendshme ligjore pas pranimit të informacioneve të plota.
“Ju konfirmojmë se në Klinikën e Urologjisë ka ndodhur një incident, që është raportuar edhe në Polici. Aktualisht, Policia e Kosovës është duke u marrë me hetimin e rastit. Ndërkohë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) do të ndërmarrë procedurat e brendshme ligjore menjëherë pas pranimit të informacioneve të plota dhe të konfirmuara lidhur me rastin.” – ka thënë Mirlinda Qyqalla, zëdhënëse në QKUK.



