Jetojmë në Tokë, të tërhequr nga graviteti, ecim mbi të, por mendja jonë endet në stratosferë, duke ndjekur iluzione të shkëputura nga realiteti i jetës. Misionin për të qenë vetja e kemi harruar, sepse po mendojmë se kemi ardhur në planet për të performuar.
Në botën digjitale të çuditshme as Liza nuk çuditet më… Sepse rrjetet sociale na e kanë shndërruar gjithçka në algoritëm. Mendimet filtrohen, emocionet modifikohen dhe çdo ditë lidhemi me botën përmes ekraneve, por shkëputemi pak nga pak nga vetja. Në këtë botë virtuale, e vërteta nuk matet më me thellësinë e mendimit, por me numrin e pëlqimeve. Kemi hyrë në një gjendje ku zhurma po përkthehet në vëmendje, ndërsa heshtja në mosqenie.
Askush nuk ka më kohë për pyetje të thella. Ka ritëm të shpejtë, lajme të shkurtra dhe emocione të përkohshme. Gjithçka është tani, dhe tani duhet të “shkëlqesh”, edhe kur je i zbrazët.
Njerëzit nuk komunikojnë më për të kuptuar njëri-tjetrin, komunikojnë për të qenë të dukshëm. Dhe nëse nuk je i dukshëm, është njësoj sikur nuk ekziston.
Ne nuk po jetojmë më për të kuptuar, por u bëmë profile që përditësohen për të mos u harruar. Dhe ndoshta, në gjithë këtë dritë, nuk po e shohim më veten, sepse ajo që ndriçon shumë, shpesh verbon. Një teatër i hapur pa pushim, ku çdo njeri luan, por pak kush guxon të ndalojë dhe të pyesë: për kë është gjithë kjo shfaqje?
Njerëzit nuk fotografojnë vetminë, pasigurinë apo shpirtin e lodhur, ata fotografojnë suksesin e simuluar, momentin më të ndritshëm, këndin më të mirë. Dhe kështu, pa e kuptuar, krijohet një presion kolektiv për të qenë perfektë, e për pasojë, për të mos qenë të vërtetë.
Siç ka thënë Dr. Gabor Maté: “Kur shoqëria shpërblen sjelljen e jashtme dhe injoron dhimbjen e brendshme, atëherë krijohet një fasadë kolektive.”
Oqeani nga jashtë mund ta shohësh, por vetëm nëse hyn brenda mund ta njohësh. Ai njihet për thellësinë të cilën nuk e kupton nga sipërfaqja.
Dhe sipërfaqja është gjithmonë jashtë, vetëm e vërteta qëndron brenda. Ajo që shfaqim është vetëm ajo që duam të shihet. Por nëse ke për qëllim syrin, kurrë nuk do ta arrish zemrën.
Kur mungon mundësia e ndikimit me të brendshmen që vlen, shfaqet përpjekja për të ndikuar me të jashtmen që s’ka vlerë.
Është e vërtetë se nganjëherë nuk duhet ta themi të vërtetën, por kjo nuk do të thotë se duhet të gënjejmë. Nëse u tregon të gjithëve çfarë mban brenda, ndonjë ziliqar mund të të plaçkisë. Andaj mund ta fshehësh të vërtetën pa gënjyer. Thjesht mos u trego të tjerëve çfarë nuk u intereson, edhe nëse të pyesin.
Nuk është e lehtë t’i kthehesh vetes në një epokë ku njerëzit garojnë për t’u shfaqur. Aty ku i varfëri jeton në luks, nuk ka mbetur më asgjë për t’u çuditur. Prandaj është e vështirë, e pranoj. Por a e ke pyetur ndonjëherë veten se sa gjatë mund ta mbash një maskë, apo të luash një rol, edhe sa do ta gënjesh veten?
Kthehu në realitet, se ndoshta një ditë bëhet vonë. S’do ta njohësh më veten.
– Leotrim Vladi



