Një incident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur më 21 korrik në Gjakovë, ku dy punëtorë ndërtimtarë kanë humbur jetën pasi ranë nga kati i tretë të një objekti në ndërtim, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi se bëhet fjalë për viktimat Hazir Jakupaj, rreth 48-vjeç dhe Daut Bajraktari, rreth 50-vjeç.
Ngjarja ka ndodhur gjatë punës në një objekt në ndërtim, ku për shkaqe që po hetohen, të ndjerët kanë rënë nga lartësia. Ata nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve të marra.
Siç ka raportuar Sinjali, për këtë incident janë arrestuar dy persona të dyshuar për neglizhencë dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës. Të arrestuarit janë: Albert Margegaj, rreth 49-vjeçar dhe Xheladin Pozhegu, rreth 46-vjeçar.
Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sipas kërkesës, “më 21 korrik 2025, në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë humbur jetën dy punëtorë, H. J. dhe D. B., pasi ranë nga kati i tretë i objektit në ndërtim., thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, aksidenti fatal ka ndodhur si pasojë e mungesës së pajisjeve mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave të sigurisë në punë.
Të dyshuarit Xh. P., si përfaqësues i “NTSH Sh….” Sh.P.K, dhe A. M., si përfaqësues i “M. G.” Sh.P.K, janë identifikuar si persona përgjegjës në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit. Ata dyshohen se nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse të nevojshme për punëtorët, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme në këtë fazë të hetimeve.
Arresti shtëpiak do të zgjasë deri më 20 gusht.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



