Gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës, janë dëgjuar thirrje skajshmërisht raciste ndaj shqiptarëve. Tifozë maqedonas kanë brohoritur fraza të rënda si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”. Ajo që ka shqetësuar edhe më shumë opinionin është fakti se këto thirrje ndodhën në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, pa pasur asnjë reagim nga ana e tyre.
Pas heshtjes disa ditore të institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka reaguar përmes një deklarate ku theksoi se Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Megjithatë, mungesa e një reagimi të menjëhershëm nga udhëheqësit shtetërorë është kritikuar nga përfaqësues të opozitës dhe pjesë të opinionit publik.
Në anën tjetër, edhe nga vetë Maqedonia e Veriut ka pasur reagime. Bujar Osmani ka kritikuar heshtjen e kryeministrit të ri maqedonas, duke e cilësuar si një humbje të mundësisë për të treguar se është lider i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Ngjarja në Kumanovë ka rikthyer në vëmendje rrezikun që gjuha e urrejtjes të normalizohet në sfera publike, pa pasur as reagim dhe as përgjegjësi. Shumë zëra në opinion kërkojnë që Kosova të jetë më e zëshme dhe më e qartë kur në rajon cenohet dinjiteti i shqiptarëve.



