Manchester City po përgatit një kontratë të re për mesfushorin spanjoll Rodri, e cila do ta mbajë atë në “Etihad” deri në qershor të vitit 2029. Kampionët e Anglisë janë të vendosur t’i shprehin besimin e tyre të plotë lojtarit që është bërë shtyllë e padiskutueshme në formacionin e Pep Guardiolës.
Sipas raportimeve, Rodri pritet të bëhet lojtari i dytë më i paguar në skuadër, menjëherë pas Erling Haaland. Megjithatë, vendimi final për rinovimin i mbetet vetë lojtarit.
City tashmë ka gati detajet e kontratës dhe është në pritje të konfirmimit nga përfaqësuesit e futbollistit. Klubi e konsideron Rodrin si një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit afatgjatë dhe synon ta blindojë atë për vitet në vijim, përballë interesimit të mundshëm nga klube të tjera evropiane.
Rinovimi i tij do të ishte një tjetër sinjal i qartë se Manchester City synon të ruajë bërthamën e suksesit dhe të vazhdojë dominimin në futbollin anglez dhe evropian.



