Sulmet e planifikuar izraelite për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës do të dështojnë, ashtu siç kanë dështuar edhe përpjekjet e mëparshme, thonë nga Grupi palestinezë i rezistencës Hamas.
“Operacioni do të dështojë ashtu si edhe të mëparshmit. Izraeli nuk do të arrijë objektivat e tij dhe pushtimi i Gazës nuk do të jetë një piknik”, thuhet në njoftimin e Hamasit të publikuar të mërkurën.
Njoftimi erdhi pasi ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, miratoi të mërkurën planin për nisjen e ofensivës së quajtur “Qerret e Gideonit 2”, me synim okupimin e qytetit të Gazës.
Hamas theksoi se plani përfaqëson vazhdimin e gjenocidit që po zhvillohet në Rripin e Gazës prej më shumë se 22 muajsh dhe shpërfilljen e përpjekjeve të ndërmjetësuesve për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve.
Më pas, nga Hamasi theksuan se e kishin pranuar propozimin për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësuesit, ndërkohë qeveria izraelite ngul këmbë të vazhdojë luftën brutale kundër civilëve të pafajshëm në Gaza, me qëllim shkatërrimin e qytetit dhe zhvendosjen e banorëve drejt jugut.
Ata shtuan se shpërfillja dhe mospërgjigja e kryeministrit Benjamin Netanyahu ndaj propozimit të ndërmjetësuesve tregon se “ai është ai që minon marrëveshjet, nuk kujdeset për jetën e pengjeve dhe nuk është serioz për kthimin e tyre”.
Hamasi gjithashtu u bëri thirrje ndërmjetësuesve të ushtrojnë presion maksimal mbi Izraelin për të ndalur gjenocidin ndaj popullit palestinez.
Më 8 gusht, kabineti i sigurisë së Izraelit miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës, i cili ndodhet në pjesën veriore të enklavës.
Para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu deklaroi në një intervistë se Izraeli synon pushtimin e plotë të Rripit të Gazës.
Katz gjithashtu miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës të mërkurën.
Sipas planit, rreth një milion palestinezë do të zhvendosen fillimisht drejt jugut, ndërsa qyteti do të vihet nën rrethim dhe më pas do të pushtohet pas sulmeve të rënda.
Më 18 gusht, Hamasi njoftoi se kishte pranuar propozimin për armëpushim dhe shkëmbim robërish të paraqitur nga Egjipti dhe Katari, por Izraeli ende nuk ka dhënë përgjigje për ofertën.



