Stetoskopët e fuqizuar me inteligjencë artificiale (AI) mund të ndihmojnë mjekët të zbulojnë tre lloje të ndryshme të sëmundjeve të zemrës brenda pak sekondave, thonë studiuesit.
Stetoskopi origjinal, i shpikur në vitin 1816, u mundëson mjekëve të dëgjojnë tingujt e brendshëm të trupit të pacientit.
Një ekip shkencëtarësh britanikë kreu një studim duke përdorur një version modern të këtij instrumenti dhe thotë se ai mund të identifikojë menjëherë insuficiencën kardiake, sëmundjet e valvulave të zemrës dhe rrahjet jonormale të saj.
Sipas tyre, ky mjet mund të jetë një “ndryshim i madh loje”, pasi do t’i ndihmojë pacientët të marrin trajtim më herët. Pas testimeve në 205 ordinanca mjekësore në perëndim dhe veri-perëndim të Londrës, pajisja pritet të shpërndahet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Në vend të pjesës tradicionale të stetoskopit, pajisja e re përdor një komponent me madhësinë e një letre bixhozi. Ajo përmban një mikrofon që analizon dallimet më të vogla në rrahjet e zemrës dhe qarkullimin e gjakut, gjë që veshi i njeriut nuk mund ta perceptojë.
Gjithashtu, aparati realizon një EKG (elektrokardiogramë), duke regjistruar sinjalet elektrike të zemrës dhe i dërgon ato në “cloud” për t’u analizuar nga inteligjenca artificiale, e cila është trajnuar me të dhëna nga dhjetëra mijëra pacientë.
Në studimin e zhvilluar nga Imperial College London dhe Imperial College Healthcare NHS Trust, mbi 12,000 pacientë në 96 ordinanca u ekzaminuan me stetoskopin AI, dhe rezultatet u krahasuan me pacientë nga 109 ordinanca të tjera ku teknologjia nuk u përdor.
Rezultatet treguan se pacientët me insuficiencë kardiake kishin 2.33 herë më shumë gjasa që sëmundja e tyre të zbulohej brenda 12 muajsh kur kontrolloheshin me stetoskopin inteligjent. Modelet jonormale të rrahjes së zemrës, të cilat shpesh nuk kanë simptoma por rrisin rrezikun e goditjes në tru, ishin 3.5 herë më të dukshme me stetoskopin AI. Ndërsa sëmundja e valvulës së zemrës u zbulua 1.9 herë më shpesh.
Dr. Sonya Babu-Narayan, drejtoreshë klinike në British Heart Foundation (BHF) dhe kardiologe konsulente, tha:
“Ky është një shembull elegant se si stetoskopi i thjeshtë, i shpikur mbi 200 vite më parë, mund të përditësohet për shekullin XXI.”
Ajo shtoi se risitë e tilla janë jetike “sepse shpesh këto sëmundje diagnostikohen vetëm në faza të avancuara, kur pacientët paraqiten në spital në gjendje emergjente. Duke vendosur diagnozën më herët, njerëzit mund të marrin trajtimin e nevojshëm për të jetuar më gjatë e më mirë.”
Rezultatet e studimit u prezantuan para mijëra mjekëve në kongresin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid, konferenca më e madhe e zemrës në botë.
Gjithashtu, ka plane që stetoskopët e rinj me AI të përdoren gjerësisht në ordinancat mjekësore në Londrën e Jugut, Sussex dhe Uells.



