Ambasadori gjerman në largim në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen, pasi sipas tij ato kanë goditur njerëzit e gabuar.
Rohde theksoi se Gjermania ka mbajtur një qëndrim të qartë për heqjen e këtyre masave, por disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mbeten skeptike dhe hezitojnë të japin pëlqimin e tyre.
Ai kujtoi se masat ishin vendosur si reagim ndaj disa zhvillimeve të cilësuara si shqetësuese, por theksoi se mbajtja e tyre ka rezultuar e padrejtë, pasi pasojat i kanë ndjerë ata që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me situatën.
Në këtë kontekst, Rohde u ndal edhe te rëndësia e sundimit të ligjit. Ai përmendi rastin e Milan Radoiçiqit, i cili sipas tij nuk është përballur me drejtësinë për akuzat që rëndojnë mbi të. Sipas ambasadorit gjerman, mungesa e një procesi penal të rregullt për persona të tillë përbën pengesë për përparimin e dialogut dhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Rohde përmbylli se beson fuqishëm se është koha që masat të hiqen, por paralajmëroi se për këtë nevojitet konsensus i plotë mes vendeve të BE-së, gjë që ende nuk është arritur.



