Në një kodër bri fshatit Kastërc të Komunës së Suharekës, gjendet një nga thesaret më të rëndësishme arkeologjike të Kosovës- Kalaja e Kastërcit.
Kjo kala me histori mijëvjeçare është bërë objekt i hulumtimeve të thelluara nga arkeologët vendorë.
Kalaja e Kastërcit është një nga qendrat-kalatë më të rëndësishme të fortifikuara të antikitetit të vonë të shekujve IV-VI, me një vazhdimësi edhe në mesjetë.
Një ekip hulumtues i Institutit Arkeologjik të Kosovës në krye me arkeologun Berat Ademi, ka kryer gërmime arkeologjike gjatë këtij viti (2025) duke sjellë dëshmi të reja përmes artefakteve për historinë dhe rëndësinë e kësaj kalaje.
Arkeologu Ademi, në një bisedë për KALLXO.com, rrëfen për zbulimet e fundit, sfidat dhe rëndësinë historike të kësaj qendre të lashtë.
Ademi ka thënë se Kalaja e Kastërcit dëshmon zhvillimin e qendrave të fortifikuara në antikitetin e vonë në periudhën mesjetare në Kosovë.
Kalaja, sipas tij, ka rëndësi të madhe për historinë politike dhe kishtare të zonës, por edhe për kuptimin e organizimit të jetës shoqërore e ushtarake në atë periudhë.
“Rëndësia e saj lidhet me faktin se ruan një kompleks të gjerë të nderimeve arkitektonike banuese, me një kishë mjaftë karakteristike të shek. VI, një varrezë të vendosur në hapësirën e bazilikës si dhe strukturat e dy mureve rrethuese të kalasë që kanë shërbyer për mbrojtje. Aktualisht me zbulimet e deritanishme themi që objekti i kishës-trikonike është unik në tipologjinë e ndërtimeve kishtare”- shpjegon Ademi.
Bazuar në gjetjet arkeologjike dhe tipologjinë e ndërtimeve, shton ai, hapësira e kalasë fillet e banimit i ka në periudhën eneolitike 3500 vite para erës sonë (p.e.s.).
Kalaja është banuar në periudhën e bronzit të vonë (1400-1100 p.e.s.), periudhën e hekurit të hershëm (1100-800 p.e.s.), siç ka thënë ai, e banuar nga proto-ilirët, ndërsa besueshmëria më e madhe dhe jeta më aktive ka qenë në periudhën e antikitetit në shek. IV-VI.
Ndërsa gjurmët e banimit shkojnë deri në shek. XII. Gjurmët me të mëdha në mesjetë dëshmohen nga varreza, pra nga 97 varret e zbuluara që datohen nga shek. IX-XII. Këtë e dëshmojnë edhe monedhat e periudhës së shek. XII-të të periudhës së Komnenëve”- shton ai.
Historia e gdhendur në gur
Ademi vlerëson se Kalaja e Kastërcit ka rëndësi të madhe për historinë politike dhe kishtare të zonës, por edhe për kuptimin e organizimit të jetës shoqërore e ushtarake në atë periudhë.
Gërmimet e para janë realizuar në vitin 1986 në pjesën e poshtme të kalasë, kurse në kala janë realizuar në vitin 2010-12, dhe gjatë këtij viti (qershor- shtator 2025).
Gjatë këtyre gërmimeve, duke përfshirë zbulimet e mëhershme, janë zbuluar tri objekte banimi brenda një kompleksi të ndarë me dhoma dhe me hyrje në secilin objekt banues.
Pjesë e këtyre rezultateve, sipas arkeologut Ademi, është edhe zbulimimi tërësishëm i bazilikës.
Përveç bazilikës-trikonke të zbuluar në hapësirën e kalasë, janë evidentuar varre mesjetare, ndër të cilat edhe disa inventare- objekte personale të individëve të varrosur, që e datojnë varrezën nga shek. X-XII.
“Këtu është gjetur edhe një tjegull e fragmentuar që ka një mbishkrim në latinisht e që ka një rëndësi mjaftë të veçantë. Tjegulla është e para e llojit të tillë në Kosovë ku është shkruar ‘In nomine Patris, Filii, Spiritus Sancti’ (në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë), një formulë e zakonshme e krishterë për bekim. Tjegulla datohet në fillim të shek. VI, dhe ka një rëndësi të veçantë për krishterimin e hershem dardan. Kjo tregon se në këtë shekull Dardania kishte pranuar tërësisht krishterimin edhe në zonat më të thella”- ka thënë Ademi.
Ruajtja e trashëgimisë
Të gjitha artefaktet e zbuluara në Kastërc janë dërguar në Institutin Arkeologjik të Kosovës për analizë, konservim dhe dokumentim shkencor. Ademi konfirmon se ato do të pastrohen dhe regjistrohen në detaje për t’u bërë pjesë e publikimeve shkencore dhe, më pas, të ekspozitave publike.
Ndërkohë, shton ai mbrojtja e lokalitetit është një sfidë. “Aktualisht për kalanë kujdeset një qytetar nga fshati Kastërc, i cili është pronar i parcelave përreth. Por mungesa e infrastrukturës dhe ndikimi i faktorëve atmosferikë, si shiu dhe ngricat, paraqesin rrezik për dëmtimin e strukturave”- paralajmëron Ademi. Për këtë arsye, muret e bazilikës janë mbuluar përkohësisht me materiale izoluese deri në konservimin final që pritet të ndodhë në pranverën e ardhshme.
“Kalaja e Kastërcit është shumë më tepër se një monument i së kaluarës. Ajo është një dëshmi e gjallë e zhvillimit urban, jetës shpirtërore dhe organizimit shoqëror të një epoke që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Kosovës. Kalaja është një pasqyrë e së kaluarës sonë – dhe një kujtesë që kjo trashëgimi duhet të ruhet me kujdes, të studiohet me seriozitet dhe të promovohet me krenari”- ka thënë arkeologu Ademi.
Kalaja e Kastërcit është e hapur për vizitorë, por, siç thekson arkeologu ende mungon infrastruktura për ta bërë atë një pikë atraktive për turizëm kulturor.



