Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se punimet restauruese në ish objektin e Teknikës Popullore në Gjilan janë drejt përfundimit.
Ky monument i rëndësishëm me vlera historike, arsimore dhe kulturore, i ndërtuar rreth viteve 1934–1935, ka shërbyer ndër vite si ndërtesë e institucioneve shtetërore dhe si qendër e aktiviteteve kulturore në qytet. Pikërisht në këtë hapësirë, në vitin 1971, ka nisur edhe transmetimi i Radio Gjilanit.
Restaurimi i objektit po realizohet me një investim prej afro 200 mijë euro, financuar nga MKRS, me synim ruajtjen e trashëgimisë historike dhe arkitekturore për brezat e ardhshëm.


