Kosovës i duhet reformë në kontrollin e telefonave te nxënësit në shkolla

Notix Info
11 Min Read

Ekspertët thonë se shkollat në Kosovë do të përfitonin më shumë nga mësimi i edukimit medial, sesa nga ndalimi i përgjithshëm i përdorimit të telefonave të mençur, i cili tashmë ka dështuar.

Rasim Hasani thotë se po lufton një betejë të humbur.

Gati shtatë vjet pas ndalimit të përdorimit të telefonave në shkollat e Kosovës, ata mbeten të pranishëm kudo.

“Në praktikë, është shumë e vështirë të zbatohet, pavarësisht sa shumë përpiqemi,” tha Hasani, drejtori i arsimit në Komunën e Lipjanit. “Nuk kemi kapacitetet e nevojshme”, deklaroi ai.

Ad imageAd image

Me ndalimin e telefonëve, përkatësisht sipas udhëzimit administrativ të MASHT, që tani shkelet rregullisht, prindërit dhe mësimdhënësit kanë filluar të fajësojnë njëri-tjetrin.

Ndërkaq, ekspertët thonë se ky ndalim duhet të ndryshohet ose të hiqet, duke u zëvendësuar me një qasje më të përshtatshme dhe efektive.

“Përkundër ndalimit të plotë, Ministria e Arsimit duhet të fokusohet në krijimin e politikave për përdorim të përgjegjshëm dhe edukativ të telefonave inteligjentë në shkolla, duke i integruar ato në procesin mësimor për të përmirësuar metodologjitë e mësimdhënies,” tha Agon Ahmeti, drejtori i OJQ-së ETEA në Prishtinë, e cila punon në arsimin parauniversitar në Kosovë.

Eksperti për sigurinë kibernetike, Blerim Rexha, i cili ligjëron në Universitetin e Prishtinës, tha se shkollat duhet të punojnë për rritjen e ndërgjegjësimit.

“Për të mbrojtur fëmijët në epokën dixhitale, shkollat mund të aplikojnë filtra interneti për të bllokuar përmbajtje të papërshtatshme dhe të rrisin ndërgjegjësimin mbi sigurinë kibernetike për fëmijët dhe prindërit,” i tha Rexha BIRN-it. “Ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi në trekëndëshin mësues, prind dhe nxënës është thelbësor për një mjedis dixhital të sigurt.”

Zbatimi ‘mbetet i dobët’

Foto: BIRN

Jeton [emër jo i vërtetë] e kujton mirë telefonatën nga spitali në dhjetor 2024, ku i thanë se djali i tij kishte lënduar dorën.

Djali kishte pësuar lëndim duke marrë pjesë në një nga shumë “sfidat” online që u bënë virale në rrjetet sociale në Kosovë në fund të vitit të kaluar.

“Të gjithë përpiqen t’u japin fëmijëve të tyre më të mirën, por ndonjëherë gabojmë kur i lejojmë fëmijët të përmbushin dëshirat e tyre duke përdorur pajisje teknologjike,” tha Jetoni, i cili kërkoi të mbetet anonim për të ruajtur privatësinë e familjes së tij. “Tani ata përdorin rrjetet sociale shumë më tepër se të rriturit.”

Jetoni ia ndaloi djalit përdorimin e telefonit inteligjent. Por fëmija i tij nuk ishte i vetmi që përfundoi në spital për shkak të pasojave të “sfidave” të pasigurta online në Kosovë, veçanërisht gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, ekspertët thonë se efektet negative të telefonave inteligjentë janë më shumë sesa vetëm fizike  ato ndikojnë edhe në procesin e të nxënit.

“Përdorimi i telefonave të mencuar  në shkolla përbën një problem serioz, sepse shpesh e shpërqendrojnë nxënësit dhe ndikojnë negativisht në procesin e të nxënit,” tha eksperti i arsimit, Egzon Gashi.

“Edhe pse Ministria e Arsimit i ka ndaluar përdorimin e tyre në shkolla, zbatimi i këtij vendimi mbetet i dobët,” i tha Gashi BIRN-it. “Në vend të telefonave inteligjentë, shkollat duhet të investojnë më shumë në pajisje teknologjike të strukturuara për mësim.”

Ministria e Arsimit i tha BIRN-it se përgjegjësia për zbatimin e politikave arsimore bie në nivel lokal.

“Ministria vazhdimisht ndan informata me komunat dhe ofron sqarime mbi zbatimin e politikave dhe legjislacionit,” thuhet në përgjigjen me shkrim të ministrisë. “Për më tepër, Inspektorati i Arsimit kryen detyrat e tij në funksion të zbatimit.”

Thirrje për ndryshime në kurrikulën mësimore

Ministria e Arsimit. Foto: Denis Sllovinja

Nxënësit e klasës së pestë në Kosovë me moshë nëntë apo dhjetë vjeç, kalojnë mesatarisht tre orë në ditë në internet, sipas një hulumtimi të kryer nga dy profesorë të Universitetit të Prishtinës.

Profesori i gazetarisë, Faton Ismajli, një nga autorët e studimit, tha se rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si nxënësit arrijnë informacionin, por studimi zbuloi se vetëm 30 për qind e mësuesve dhe 35 për qind e prindërve diskutojnë çdo ditë me nxënësit apo fëmijët e tyre tema që lidhen me mediat.

Ismajli theksoi se edukimi mediatik duhet të bëhet i detyrueshëm.

“Përfshirja e edukimit mediatik si lëndë obligative në shkolla mund të kontribuojë në përmirësimin e rezultateve të nxënësve, nxitjen e mendimit kritik dhe, për pasojë, arritjen e rezultateve më të mira në testet ndërkombëtare,” tha ai për BIRN.

Sociologu Artan Krasniqi, pajtohet me këtë qëndrim.

“Në përgjithësi, ekziston nevoja për një edukim medial, për të orientuar potencialin e madh pozitiv që mbartin rrjetet sociale në drejtimin e duhur,” tha Krasniqi për BIRN.

“Prania e sociologëve, së bashku me psikologët, në shkolla do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të adresuar problemet që lindin tek nxënësit në lidhje me mirëqenien dhe sigurinë e tyre”, shtoi tutje Krasniqi.

Në përgjigje, Ministria e Arsimit tha se edukimi mediatik tashmë është pjesë e kurrikulës shkollore, por si pjesë e lëndëve të tjera.

“Temat ndërkurrikulare nuk i përkasin vetëm një lënde apo fushë kurrikulare,” tha Ministria. “Ato integrojnë fushat dhe lëndët kurrikulare me qëllim të mbështetjes së nxënësve për të kuptuar dhe interpretuar në mënyrën e duhur proceset shoqërore dhe natyrore.”

“Prandaj, temat ndërkurrikulare duhet të trajtohen nga të gjitha lëndët shkollore dhe jo domosdoshmërisht si një lëndë e veçantë, ashtu si po kërkohet, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ato të trajtohen në ndonjë shkollë specifike si lëndë jo e detyrueshme.”

Mospërgjegjësitë e prindërve

Telefonat në një shkollë në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Etna Dula, psikologe shkollore në Komunën e Gjakovës, tha se ka përvojë direkte në trajtimin e fëmijëve që dëmtojnë veten.

“Janë shumë faktorë që shtyjnë fëmijët drejt vetëlëndim, por qëndrimi i gjatë para ekranit te telefonit është njëri prej tyre,” tha Dula. “U servohet diçka që u duket tërheqëse, dhe ata vendosin ta provojnë.”

Eranda Kumnova Baci, drejtoreshë e arsimit në të njëjtën komunë, tha se kishte parë “35 prerje në një nxënëse”.

“Filloi nga njëra dorë dhe u përhap në trupin e saj dhe në dorën tjetër,” tha ajo.

Eksperti i çështjeve sociale, Vehbi Mujku, tha se prindërit nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur asaj që fëmijët e tyre shohin dhe bëjnë online.

“Telefoni është bërë një nga metodat për qetësimin e fëmijëve, pa marrë parasysh varësinë, pasojat për shëndetin mendor, por edhe për përqendrimin dhe angazhimin e tyre në aktivitetet sportive,” tha Mujku për BIRN.

Psikologu klinik, Visar Sadiku, tha se adoleshentët janë më të cenueshmit.

“Janë pikërisht adoleshentët që përballen me ndryshime të mëdha psikologjike dhe fiziologjike, dhe duket se këto grupmosha janë më të prirura të angazhohen në sjellje vetëlënduese,” tha Sadiku për BIRN. “Duket se stili i prindërimit gjithashtu luan rol në rrethanat në të cilat këto grupmosha mund të zhvillojnë këtë lloj sjelljeje.”

Autoritetet komunale thonë se kanë fuqi të kufizuar për të kontrolluar aksesin në internet. Prindërit duhet të përfshihen më shumë, tha Drita Kadriu, drejtoreshë e arsimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

“Nëse jemi në harmoni me prindërit për qasjen në internet, mendoj se mund të arrijmë sukses,” tha Kadriu për BIRN. “Megjithatë, ka prindër kokëfortë që qëndrojnë në pozicionet e tyre në marrëdhëniet me fëmijët.”

Pajtim Zeqiri, drejtor i organizatës, “Terre Des Hommes” në Kosovë, organizatë që punon për mbrojtjen e fëmijëve, kritikoi “mungesën e monitorimit adekuat” të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nga ana e prindërve dhe institucioneve arsimore.

“Këto fenomene reflektojnë mungesën e mbështetjes emocionale dhe psikologjike adekuate për fëmijët, mungesën e mekanizmave të mbrojtjes që duhet të ofrojnë shkollat dhe institucionet e tjera, si dhe mungesën e ndërgjegjësimit për sigurinë dixhitale dhe rreziqet që ajo sjell për ta,” tha Zeqiri.

Arsimi duke u përpjekur të përmbajë vonesën

Në një shkollë në Gjakovë, drejtor i shkollës Gjok Tahiri tha se, zbatimi i ndalimit nuk është i lehtë.

“Ka raste kur nxënësit sjellin me vete dy telefona inteligjentë. Ata dorëzojnë një, por mbajnë tjetrin,” tha ai.

Por homologu i tij në shkollën fillore “17 Shkurti” në komunën e Lipjanit, Mehmet Rashiti, tha se fëmijët janë “tashmë të varur” dhe fajësoi neglizhencën e prindërve.

“Fjala ime bazohet në atë që shohim në shkollat e nivelit fillor,” tha Rashiti për BIRN.

Eksperti i arsimit, Gashi, tha se është thelbësore që mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të krijojnë një mjedis ku nxënësit të mund të flasin lirshëm për përvojat dhe shqetësimet e tyre, si dhe të diskutojnë në mënyrë kritike rreziqet e rrjeteve sociale.

“Mendoj se është e domosdoshme të zhvillohen dhe zbatohet lëndë zgjedhore që i dedikohen njohurive për rrjetet sociale,” tha Gashi për BIRN. “Edukimi mbi mënyrën se si të rinjtë mund të përdorin teknologjinë në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme është një nevojë urgjente.”

“Arsimi nuk është zhvilluar me të njëjtën shpejtësi me sfidat e reja që teknologjia ka sjellë në jetën e fëmijëve”, daklaroi tutje Gashi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *