Autoritetet ukrainase kanë njoftuar të dielën se gati 60,000 persona mbetën pa energji elektrike pas një sulmi ajror rus gjatë natës në rajonin e Zaporizhzhisë, në vijën e frontit të Ukrainës, ndërsa dy persona humbën jetën në rajonin jugor të Odesës.
Me afrimin e dimrit, Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj rrjetit elektrik ukrainas, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke detyruar ekipet e emergjencës së Kievit të veprojnë shpejt për riparimin e dëmeve dhe menaxhimin e ndërprerjeve të energjisë.
Sulmi në Zaporizhzhia la gjithashtu dy persona të plagosur, ka bërë të ditur guvernatori rajonal Ivan Federov përmes aplikacionit Telegram.
“Ekipet do të rikthejnë energjinë sapo situata e sigurisë ta lejojë”, tha Fedorov në Telegram.
Rajoni i Zaporizhzhisë përballet pothuajse çdo ditë me sulme artilerie, raketash dhe dronësh rusë që kanë shkatërruar shtëpi, dëmtuar shërbime dhe shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave, ndërsa Moska vazhdon presionin mbi mbrojtjen e Ukrainës dhe përpiqet të prishë lidhjet midis jugut të vendit dhe pjesës tjetër të tij.
					
							
		
		
		
		
			
		
