Kryesuesi i PDK-së në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Mitrovicën e Jugut, Jahir Sumiqi ka deklaruar se prokurori i rastit, Njazi Rexha, ka kërkuar vazhdimin e numërimit të votave.
Megjithatë, sipas tij, PDK-ja dhe partnerët e koalicionit do të vazhdojnë bojkotin e procesit, duke theksuar se nuk do të shkelin ligjin.
Sumiqi në një deklarim për media tha se më shumë se 20 vendvotime kanë ndryshuar vendndodhje – nga një klasë në tjetrën apo nga një vendvotim në tjetrin – dhe se fletëvotimet e tyre, në shumicën e rasteve, i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Janë numëruar 35 kuti votimi, ku prej tyre mbi 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë apo nga vendvotimi në vendvotim. Është një inxhiniering i organizuar, për të cilin kemi hasur prova të argumentuara gjatë numërimit të votave. Janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, pra numri serik dallon prej numrit të vendvotimit. Kryesisht, fletëvotimet kanë lëvizur nga shkolla ‘Migjeni’ në ‘Abdullah Shabani’ dhe nga Universiteti në shkollën e Zhabarit”, ka deklaruar Sumiqi.
Ai shtoi se janë identifikuar edhe fletëvotime me nga dy vula, si dhe të tjera ku numri serik nuk përputhet me atë të vendvotimit.
“Fletëvotimet që janë gjetur e që kanë lëvizur nga vendvotimi në vendvotim, kryesisht – rreth 70-80 për qind e tyre – janë të VV-së. Ka edhe disa fletëvotime me vota të PDK-së, por janë pak. Ne dyshojmë se ato janë bërë për të mbuluar gjurmët e këtij inxhinieringu të paparë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Numri serik i fletëvotimit nuk përputhet me numrin e vendvotimit. Mua më doli një nga vendvotimet me numër serik ndryshe, derisa unë po numëroja një vendvotim me numër tjetër. Ka fletëvotime që kanë nga dy vula, pra janë të vulosura dy herë”, ka thënë Sumiqi.
Ndërkohë, brenda ambienteve të QNR-së ndodhen vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ende nuk dihet nëse procesi i numërimit do të vazhdojë.



