Francesca Albanese, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze të okupuara, reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila sot tha se “popullata civile nuk mund të jetë shënjestër” dhe se “vuajtjet e civilëve në Gaza duhet të ndalen menjëherë”.
Në përgjigjen e saj në platformën X, Albanese theksoi se duhen më shumë se fjalë për të ndalur Izraelin në misionin gjenocidal.
“Shumë pak, shumë vonë, zonja presidente von der Leyen. Pasi i dhatë Izraelit 21 muaj të kalojë lirshëm në Gaza, do të duhet më shumë se fjalë për ta ndalur atë nga përfundimi i misionit të tij gjenocidal dhe fushatës së hapur të spastrimit etnik. Dhe edhe më shumë për të rikthyer atë që ka mbetur nga besueshmëria e BE-së”, tha Albanese.
Me këtë deklaratë, Albanese i referohet pasivitetit shumëmujor dhe mungesës së veprimeve konkrete nga Brukseli, duke akuzuar udhëheqësinë e BE-së se kanë mbyllur sytë ndaj vrasjeve masive dhe katastrofës humanitare në Rripin e Gazës, ndërkohë që kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie diplomatike dhe mbështetje ekonomike për Izraelin.



