Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë publike investimet që kjo ministri ka realizuar dhe është duke planifikuar në qytetin e Prishtinës, duke përfshirë fusha të sportit, trashëgimisë kulturore, artit dhe infrastrukturës publike. Në një përmbledhje të detajuar, Çeku ka theksuar se përmes këtyre projekteve synohet modernizimi dhe zhvillimi i jetës kulturore e sportive në kryeqytet.
Sipas ministrit, një numër i madh projektesh janë tashmë të përfunduara ose në realizim. Ndër investimet më të mëdha përmenden ndërtimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës me vlerë 7 milionë euro, rinovimi i Stadiumit “Fadil Vokrri” me 1.3 milion euro dhe punimet në Muzeun Kombëtar të Kosovës me mbi 2.9 milionë euro. Po ashtu, janë realizuar ndërhyrje në objekte historike e tradicionale si shtëpitë e familjeve Sylejmani, Safqi e Hynilerët, si dhe në objekte publike si Galeria e MKRS-së, Arkivi i Kosovës, Rezidenca Ibrahim Rugova dhe të tjera.
Ministri Çeku theksoi se aktualisht janë në proces të prokurimit ose projektimit një sërë projektesh strategjike, si Biblioteka e re Kombëtare e Kosovës me vlerë 22 milionë euro, Qendra Multikulturore me sallë koncertale me investim prej 10 milionë euro, si dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor dhe Teatri i ri në hapësirat e ish-Rilindjes, me një fond prej 6 milionë eurosh.
Ndërkohë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë janë duke u përgatitur edhe grante dhe kredi të mëdha për zhvillimin e infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare 2030. Rijetësimi i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve pritet të financohet deri në 50 milionë euro nga Banka Europiane për Investime (EIB), ndërsa projektet si rinovimi i Qendrës së Studentëve dhe sallave sportive në shkollat e Prishtinës janë parashikuar të mbështeten deri në 70 milionë euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD).
Ministri në detyrë theksoi se kjo është një periudhë intensive e investimeve që përfshin jo vetëm ndërtimin dhe renovimin e objekteve, por edhe ngritjen e standardeve në kulturë, sport dhe trashëgimi.
“Qyteti i Prishtinës po bëhet qendër e zhvillimeve të mëdha kulturore e sportive falë angazhimit të përbashkët institucional dhe mbështetjes ndërkombëtare,” deklaroi Çeku.
Sipas tij, këto projekte do të kenë ndikim afatgjatë në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe në rolin e Prishtinës si qendër moderne urbane e rajonale.



