Deputeti i Bundestagut gjerman dhe zëdhënësi për Politikë të Jashtme i partisë Socialdemokrate, Addis Ahmetovic, ka theksuar se kërkesat e Qeverisë së Serbisë për pakicën serbe në Kosovë duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë edhe për pakicën shqiptare në Serbi.
Në një intervistë për mediumin Deutsche Welle, ai ka deklaruar se të gjitha pakicat duhet të trajtohen me standarde të njëjta.
“Të njëjtat standarde duhet të zbatohen për të gjitha pakicat – në Serbi, si dhe në Kosovë. E konsideroj kërkesën e pakicës shqiptare për ta vendosur çështjen në agjendën e procesit të dialogut të moderuar nga BE-ja si plotësisht legjitime. E kam marrë këtë si një mandat të qartë dhe do ta çoj përpara”, ka thënë ai.
Duke komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, Ahmetovic theksoi rëndësinë e funksionalitetit institucional për të avancuar në rrugën euroatlantike.
“Ne duam veprim të qëndrueshëm qeveritar dhe një parlament funksional. Kjo është e nevojshme për të gjitha hapat pasues. Vetëm nëse kjo ecë përpara me sukses, Kosova mund të bëjë përparim në Këshillin e Evropës, në procesin e anëtarësimit në BE dhe ndoshta së shpejti edhe në NATO. Këto procese janë të lidhura ngushtë”, tha ai.
Sipas tij, çështja e pakicës shqiptare në Serbi është lënë anash në diskursin ndërkombëtar, përfshirë edhe atë gjerman.
“Unë jam një politikan që flas hapur – dhe e them hapur: situata e pakicës shqiptare në Serbi nuk ka qenë lart as në agjendën gjermane, as në atë evropiane. Serbia ka nënshkruar tre marrëveshje që parashikojnë integrimin e pakicës shqiptare në gjyqësor, polici dhe administratë. Nëse Serbia është serioze për t’u bërë anëtare e BE-së, ajo duhet t’u përmbahet këtyre angazhimeve”, tha tutje ai.



