Më 15.07.2025, 105 deputetë të Kuvendit të Kosovës u mblodhën për të 47-tën herë me radhë, në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë. Deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje politike dhe nuk është gjetur asnjë zgjidhje.
Përpjekja e së dielës, më 15.07.2025 përfundoi pa sukses.
Në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses, deputetët kanë kohë deri më 26 korrik që ta konstituojnë Kuvendin.
Më 28.06.2025 kryetari i LVV-së Albin Kurti kishte ftuar në takim liderët e partive politike për të gjetur zgjidhje për bllokadën në Kuvend. Ky takim kishte përfunduar pa sukses.
Për të gjetur një zgjidhje pas aktgjykimit të Kushtetueses, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte takuar kryetarët e partive politike: LVV, PDK, LDK, AAK dhe të komuniteteve joshumicë. Edhe pse u mbajtën takime veç e veç, ende nuk kompromise dhe zgjidhje konkrete për dalje nga ngërçi politik.
Presidentja Osmani, kishte deklaruar se në bazë të interpretimit të ekipit të saj ligjor dhe analizave të ekspertëve, votimi i fshehtë lejohet në rast se veçse arrihet konsensus mes deputetëve për një mënyrë të tillë të votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“Konstatimi i ekipit tim ligjor, me të cilin unë pajtohem, është që nëse lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”- ka deklaruar Osmani për media më 04.07.2025.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë dorëzuar ndarasi lëndë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kushtetushmërinë e seancës konstituive.
LDK ka dorëzuar lëndë Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë në lidhje me votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, ndryshimin e rendit të ditës, sipas tyre në kundërshtim me rendin e ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Lënda është dorëzuar nga deputetët Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj, si dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj.“Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajtojë sa më shpejt në mënyrë që të kthehet normaliteti në vend dhe të formohen institucionet. Në këtë mënyrë i jepet mundësia çdo deputeti që të votojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”- tha ai pas dorëzimit.
Kurse, PDK ka dorëzuar në Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, sipas PDK-së, konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij Komisioni; vetë votimin e Komisionit; dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”- ka shkruar PDK.
Kjo parti përmes kësaj kërkese ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë; të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive; dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka të drejtën të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 09.02.2025 ndërsa seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15.04.2025
Gjykata ka marrë vendim më 26.06.2025 se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Aktgjykimi më tej sqaron se struktura e normave kushtetuese, dhe posaçërisht ajo që ndërlidhet me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe jo të bllokojë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre.
Ashtu si thekson më tej Kushtetuesja, e drejta për të propozuar kryetarin/en e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14 si dhe propozimi i kandidatit për kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Dhe siç thekson më tej Kushteuesja, si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
