Më 14 shtator do të protestohet në Hagë, në mbështetje të ish-ushtarëve të UÇK-së.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, në një konferencë për media tha se protesta do të mbahet më 14 shtator, transmeton Telegrafi.
“Në Hagë më 14 shtator, do të protestohet në ora 14:00. Mërgata dhe veteranët qe kemi në diasporë, kanë kërkuar nga ne, ndihmë dhe ne iu kemi përgjigj në momentin që na kanë thirr. Arsyeja pse po mbahet më 14 shtator, është për shkak se me datën 15 shtator, dëshmitari i parë do të jetë në anën e mbrojtjes tonë dhe është nga Amerika, dhe ne do të dalim në mbështetje të tij”, tha ai.

Gucati tha se në Gjykatën Speciale nuk ka drejtësi.
Ai gjithashtu deklaroi se tashmë kanë kërkuar leje nga autoritetet holandeze leje për protestë, dhe se ata kanë lejuar protestën, por që tashmë janë në pritje vetëm të lokacionit.
Gucati bëri thirrje për dalje masive në protestën e 14 shtatorit.
Para disa javësh edhe në Prishtinë është protestuar kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
