Türkiye do të vazhdojë ta mbajë në agjendën e mbarë njerëzimit gjenocidin e Izraelit kundër popullit të Gazës, i cili e tejkalon atë të nazistëve, deklaron Recep Tayyip Erdoğan në panairin e mbrojtjes IDEF.
“Kushdo që hesht për gjenocidin në Gaza është bashkëpërgjegjës për krimet kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli,” deklaroi presidenti turk të martën.
Türkiye do të vazhdojë ta mbajë në agjendën e mbarë njerëzimit gjenocidin e Izraelit ndaj popullit të Gazës, i cili, sipas presidentit Recep Tayyip Erdoğan, e tejkalon edhe atë të nazistëve, duke folur në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) në Istanbul.
“Qëllimi ynë është të vendosim armëpushim sa më shpejt që të jetë e mundur. Lejimi i ndihmës humanitare për të hyrë në Gaza është një tjetër përparësi,” tha ai.
“Gjendja e fëmijëve në Gaza, të cilët janë bërë kockë e lëkurë nga uria për shkak se ndihma humanitare nuk lejohet të hyjë, është edhe gjendja jonë,” shtoi Erdoğan.
“Asnjë njeri me dinjitet njerëzor nuk mund të pranojë këtë mizori, ku çdo ditë vdesin dhjetëra njerëz të pafajshëm sepse nuk mund të gjejnë as një kafshatë bukë apo një gllënjkë ujë,” theksoi presidenti turk.
“Në këto ditë të errëta, kur kanë filluar vdekjet masive nga uria, i bëj thirrje gjithë bashkësisë ndërkombëtare të bashkohet në anën e njerëzimit,” shtoi ai.
Duke folur për industrinë e mbrojtjes së Türkiyes, Erdoğan tha se vendi ka kapërcyer “embargo, standarde të dyfishta dhe presione diplomatike” për t’u bërë një forcë globale dhe për të lënë gjurmë në tregun ndërkombëtar të mbrojtjes.
“Shkalla e prodhimit vendor në industrinë tonë të mbrojtjes ka tejkaluar tashmë 80%,” tha ai.
Ky panair gjashtëditor që nisi të martën organizohet nën kujdesin e presidencës së Türkiye në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, Sekretariatin e Industrive të Mbrojtjes dhe Bazën e Forcave të Armatosura.
Edicioni i 17-të i panairit zhvillohet në të njëjtën kohë në Qendrën e Panaireve të Istanbul, Aeroportin Ataturk, hotelin Wow dhe Marinën Atakoy.
Ekspozita paraqet automjete luftarake të blinduara, automjete taktike të blinduara, mjete tokësore, ajrore dhe detare pa pilot, sisteme armësh, raketa, sisteme raketash kundër tankeve me rreze të gjatë, armë këmbësorie, simulatorë ushtarakë, zgjidhje për luftë elektronike, grupe motorrike dhe pajisje për çmontimin e mjeteve shpërthyese.
Panairi pritet të tërheqë një numër të madh pjesëmarrësish, me shumë ceremoni nënshkrimi marrëveshjesh.
Edicioni i mëparshëm i këtij panairi u mbajt në korrik 2023 në Istanbul.



