Burime mjekësore në Rripin e Gazës raportojnë se të paktën 59 persona janë vrarë sot nga sulmet izraelite, mes tyre 14 anëtarë të së njëjtës familje.
Në të njëjtën kohë, kryeministri i Katarit pritet të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë, pasi anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë dënuar ashpër sulmin izraelit kundër drejtuesve të Hamasit në Doha.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar me shumicë dërrmuese një rezolutë që bën thirrje për zgjidhjen me dy shtete dhe përfundimin e kontrollit të Hamasit mbi Gazën, e cila prej më shumë se 11 muajsh është e shkatërruar nga lufta.

Nga ana tjetër, Hamasi ka premtuar se do të vazhdojë luftën, duke theksuar se kërkesat kryesore të tij mbeten të pandryshuara: tërheqja e plotë e trupave izraelite nga Gaza dhe rindërtimi i territorit.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta ka shkaktuar një bilanc tragjik: të paktën 64,756 palestinezë të vrarë dhe 164,059 të plagosur, ndërsa mijëra të tjerë dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja. Nga ana tjetër, gjatë sulmeve të 7 tetorit, u vranë 1,139 persona në Izrael dhe rreth 200 të tjerë u morën peng.



