Gjykata Themelore në Gjilan ka reaguar pas interesimit të madh të opinionit publik për rastin e vrasjes së ndodhur në qendër të qytetit, duke kërkuar që informatat të jenë të sakta dhe të bazuara në fakte, me qëllim që të mos dëmtohet procesi hetimor dhe gjyqësor.
Në reagim thuhet se i dyshuari Mefail (Fehmi) Shkodra aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv në këtë gjykatë. Sipas të dhënave zyrtare, ai më herët është dënuar për tre raste penale që tashmë kanë marrë vendim të formës së prerë:
- Në vitin 2018 për “mbajtje në posedim të armëve”;
- Në vitin 2014 për “vjedhje të shërbimeve komunale”;
- Në vitin 2011 për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërkohë, gjykata bën të ditur se Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, të cilët po ashtu lidhen me rastin, nuk figurojnë në regjistrat penalë as për raste të gjykuara, e as për raste të papërfunduara.
Institucioni gjyqësor ka theksuar rëndësinë e shmangies nga spekulimet, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të presin informata zyrtare gjatë zhvillimit të hetimeve.



