Valët e cunamit kanë arritur në Hawaii në Shtetet e Bashkuara pas një tërmeti të fuqishëm në bregun lindor të Rusisë.
Cunami ngriti nivelin e detit me 0.9 metra në stacionin monitorues Haleiwa, një stacion monitorimi në bregun verior të Oahu-së në Hawaii, raportoi Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor, trasnmeton Notix.info
Guvernatori i Havait, Josh Green, tha se është shumë herët për të thënë se sa të mëdha do të jenë valët që do të arrijnë në Havai, por paralajmëroi se edhe valët e vogla shtyhen me “forcë të madhe”.
Ndërsa nuk ka pasur raportime për dëme, ai tha se autoritetet do të presin deri në katër orë përpara se të jenë në gjendje të vlerësojnë nëse situata është e sigurt: “Nuk jemi ende të sigurt”, tha ai.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së paralajmëroi gjithashtu se “rreziku mund të vazhdojë për shumë orë të tjera, ndërsa aktiviteti i valëve vazhdon”.
«Ju lutem mos e vini veten në rrezik», tha Green, duke shtuar se helikopterët Black Hawk dhe automjetet për lundrim të lartë ishin gati në rast se autoritetet do të kishin nevojë të shpëtonin njerëz.
Më parë, Qendrat e Paralajmërimit për Cunam në SHBA kishin paralajmëruar se valë të larta nga 1 deri në 3 metra ishin të mundshme në Hawaii, ndërsa Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave në Honolulu kërkoi evakuimin e banorëve të disa zonave bregdetare.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Havait tha se të gjitha portet tregtare janë mbyllur. Fluturimet për në dhe nga ishulli i dytë më i madh i Havait, Maui, u anuluan gjithashtu të martën në mbrëmje, tha Green.
Kërcënimi për cunami në Hawaii vjen ndërsa tërmeti me magnitudë 8.8 në rajonin e Kamchatka-s në lindje të largët të Rusisë – një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë – i vuri në gatishmëri banorët në zonat bregdetare të pjesëve të Rusisë, Amerikës Latine dhe shumë shteteve ishullore të Azisë dhe Paqësorit.



