Harry Maguire ka zbuluar se Manchester United nuk e ka marrë parasysh në asnjë moment mundësinë e largimit të tij gjatë merkatos së verës.
Mbrojtësi anglez, i cili ka qenë shpesh në qendër të kritikave vitet e fundit, tha se pavarësisht interesimit nga disa klube, klubi i tij i bëri të qartë se nuk kishte asnjë shans që ai të largohej nga “Old Trafford”.
“Jam pothuajse i sigurt se United e bëri të qartë këtë verë se unë nuk mund të largohesha në asnjë rrethanë. Disa klube pyetën, por besoj se përgjigjja iu dha menjëherë,” tha Maguire.
Ky qëndrim i klubit tregon se tekniku Erik ten Hag dhe drejtuesit e United vazhdojnë ta shohin Maguiren si pjesë të rëndësishme të skuadrës, pavarësisht konkurrencës së fortë në repartin e mbrojtjes.
Maguire, i cili iu bashkua United në vitin 2019 nga Leicester City për një shumë rekord për një mbrojtës, është ende një nga lojtarët më me përvojë të skuadrës dhe gjithashtu mbetet pjesë e rëndësishme e kombëtares angleze.



