Konferenca e parë ndërkomunale për arsim, katër komuna nënshkruajnë deklaratë bashkëpunimi

Notix Info
11 Min Read

Më 17.07.2025 në Prishtinë u mbajt konferenca e parë ndërkomunale për arsim që bashkoi Komunën e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.

Kryetarë, nënkryetarë dhe drejtorë të Arsimit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe ndanë sfidat që ata hasin në sistemin arsimor.

Në këtë konferencë, drejtorët e drejtorive komunale të këtyre komunave që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nënshkruan “Deklaratën e Parimeve për Arsimin në Rajonin e Prishtinës”, e cila përfaqëson bashkëpunimin dhe angazhimin ndërkomunal si dhe hartimin e planeve afatgjata për ngritjen e cilësisë së arsimit në nivel qendror.

I pranishëm ishte Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, i cili theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve, proceseve dhe sfidave në arsim.

Ad imageAd image

“Sot e kemi për herë të parë këtë konferencë ndërkomunale e cila fokusohet në arsim. Po takohemi thjesht jo vetëm si komuna fqinje, por po vijmë të bashkuar për gjithë këtë rajon me i shkëmby idetë tona, proceset të cilat i kemi ndërmarrë ne si komuna veç e veç. Ideja nuk është me garu se cila komunë po shkon më mirë apo po e bën më mirë, mirëpo me shkëmby ide, procese, dituri edhe me shkëmby sfida të cilat i kemi kalu”  -tha Rama.

Përparim Rama shtoi se në kryeqytet janë ndërmarrë hapa edhe për mësimin tërëditor. Ai këtë proces e quajti disi sfidues, mirëpo njëkohësisht e konsideroi si të nevojshëm për ngritjen e nivelit arsimor.

“Mësimi tërëditor që kemi filluar me pesë shkolla ka pasë një impakt pozitiv edhe për fëmijët, për ngritjen e nivelit, edhe për ndërlidhjen e fëmijëve edhe me elemente të tjera përveç asaj që e prezanton kurrikula e nivelit qendror, pra me elemente ekstra kurrikulare, p.sh. arti, sporti, kodimi, po ashtu shprehja publike e elementeve të tjera si drama, teatri si dhe elemente të tjera kreative që mendoj që sot në zhvillimet ekonomike, teknologjike, janë në aspekte të industrisë kreative, p.sh. elementet teknologjike janë elemente të cilat mendohet të jenë kyçe për të ardhmen në botë. Kemi investu edhe në tabela smart (të mençura), pra i kemi 400 prej 600 klasave i kemi me tabela smart dhe planifikojmë deri në fund të vitit t’i kemi të gjitha” – tha ai.

Xhafer Gashi, kryetar i Komunës së Obiliqit, tha se komuna e tyre nga një gjendje jo e mirë ka arritur që t’i pajisë shkollat me elemente për mbarëvajtjen e rregullt të mësimit. Ai gjithashtu theksoi se tashmë kanë filluar me ndërtimin e një pishine gjysmë-olimpike që do t’i dedikohet në të ardhmen lëndës së notit.

“Kemi arritë shumë që shkollat të pajisen, të jenë sa më të përgatitura për mbarëvajtjen e mësimit, gjithashtu edhe pjesa sportit, sallat e edukatës fizike, se Obiliqi ka qenë në gjendje jo të mirë në këtë drejtim. Tani kemi fillu me një pishinë gjysmë-olimpike që do t’u dedikohet shkollave për nxënësit tanë që që nga fillimi ta kenë pjesë të mësimit edhe notin” – deklaroi Gashi.

Drejtues të Komunës së Fushë-Kosovës gjendjen në sistemin arsimor e quajtën sfidë dhe paradoks ligjor.

Besnik Osmani, nënkryetar i kësaj Komune, tha se shtimi i popullsisë dhe ardhja e banorëve të rinj po e shton numrin e nxënësve dhe kjo po paraqet sfidë në infrastrukturën e shkollave.

“Sa i përket Komunës së Fushë-Kosovës jemi një rast më specifik, kjo për shkak të rritjes së popullsisë, rritjes natyrore dhe migrimit të brendshëm që po ndodh si dhe ardhjeve në Fushë-Kosovë. Ne përafërsisht po kemi diku 400-500 nxënës që po shtohen në komunë, që i bie përafërsisht një shkollë e re brenda çdo viti që duhet të jetë e gatshme me absorbu ardhjet e reja. Edhe natyrisht mund të them se kjo është një prej sfidave kryesore që ne ballafaqohemi” – tha Osmani

Ai gjithashtu deklaroi se u mungojnë mbi 100 norma buxhetore dhe kjo po çon në mungesë të hapësirave shkollore dhe pengesë për plotësimin e nevojave për mësimin tërëditor.

“Kemi diku rreth 150 norma që na mungojnë e që duhet t’i kishim sipas formulës buxhetore dhe gjithmonë kemi një situatë të tensionuar, nëse mund të themi, në raport me Komunën dhe Qeverinë. E dyta janë hapësirat shkollore. Sado që ne po ndërtojmë – është teknikisht një shkollë e gjysmë në vit, ende kemi nevojë për hapësira shkollore, në mënyrë që ne ta arrijmë një nivel tjetër aty ku po punon Komuna e Prishtinës për mësimin gjithëditor. Ne jemi ende në një nivel tjetër, kemi ende klasa me shumë nxënës edhe nuk mund ta kemi prioritet mësimin gjithëditor për shkak të këtyre dy sfidave kryesore” – potencoi Besnik Osmani.

Diamant Bytyqi, nënkryetar i Komunës së Lipjanit, deklaroi se problemi qëndron në migrimin brenda komunës, mirëpo, sipas tij, ata kanë filluar përgatitjet për mësimin tërëditor.

“Edhe komuna jonë ka pasur shumë sfida. Migrimi brendakomunal, lëvizja prej fshatrave në qytet, e ka rritur edhe numrin e nxënësve në shkollat e qytetit, por e ka zvogëluar  numrin e nxënësve në shkollat nëpër fshatra. Ne i kemi fillu përgatitjet e para për me e fillu mësimin tërëditor në disa fshatra. Drejtori është duke u angazhuar në këtë temë. Do të fillojmë edhe ne në disa fshatra më të mëdha, që kanë hapësira më të mëdha, që me e fillu këtë model. Sigurisht që kemi probleme edhe në qytet, për shkak të krijimit të hapësirave të nevojshme që duhet me e fillu këtë model të mësimit” – u shpreh Bytyqi.

Fitore Hashani, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Obiliqit, theksoi se sfidat kryesore qëndrojnë te buxheti dhe infrastruktura.

“Një prej sfidave që po ballafaqohemi të gjithë e sidomos në fushën e buxhetit dhe infrastrukturës. Probleme në infrastrukturën ligjore e sidomos në kontratën kolektive që tashmë secili prej nesh e dimë se fatkeqësisht edhe kontot e komunave janë blloku. Ashtu siç e cekën kryetarët, këto sfida po na përcjellin në vazhdimësi” – tha Hashani.

Edhe Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, potencoi se edhe pse ata po ndërtojnë shkolla të reja, prapë këto shkolla nuk janë në proporcion me numrin e nxënësve që shtohen në këtë komunë.

“Ardhja e madhe e numrit të qytetarëve për të jetuar në Fushë-Kosovë po na vendos para sfidave të qarta dhe këto sfida nuk janë vetëm në një drejtim, por në shumë drejtime. Kryetari veçse e potencoi se ne jemi në përfundim e sipër të shkollës së pestë dhe këto shkolla janë të pakta në proporcion me numrin e nxënësve që janë duke vazhdu me ardhë në komunën e Fushë-Kosovës”- u shpreh ai.

Ai kërkoi që institucionet qendrore të jenë më vigjilente sa i përket çështjes së buxhetit sepse kjo po u sjell atyre sfida që nuk janë në dorën e tyre.

“Të çohet një mesazh i qartë te institucionet qendrore. Ata janë përgjegjësit kryesorë për planifikimet dhe grantet specifike të hapura të arsimit për të gjitha komunat e Kosovës, të jenë më vigjilentë sa i përket ndarjes së buxhetit sepse në nivelin e komunave në shumicën e rasteve po përballemi me sfida të cilat nuk janë në dorën tonë. Nënshkrimi i asaj kontrate kolektive na vendos para sfidave, po e potencoj këtu, dje hiç më larg Komunës së Fushë-Kosovës iu morën nga përmbaruesit privatë 850 mijë euro dhe këto kanë të bëjnë direkt prej projekteve të cilat neve na vendosin para një sfide shumë serioze. Në vitin e kaluar, në procedurën e prokurimit e kemi pasë ndërtimin e një çerdhe dhe sot s’ka fillu hala për shkak të marrjes së mjeteve financiare të zotuara nga përmbaruesit, duke pasur parasysh që ato vendime gjyqësore vijnë nga kontrata kolektive” – shtoi Fatlum Berisha.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Lipjanit qasjen e shtetit karshi sektorit të arsimit e konsideroi si problem thelbësor të kësaj situate.

Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Lipjan, tha se arsimi parauniversitar trajtohet si administratë dhe sipas tij përderisa ekziston kjo gjendje ata nuk mund t’i dërgojnë përpara iniciativat e mira. Hasani pretendon se sfida e tyre më e madhe është qasja e Ministrisë së Arsimit.

“Problem thelbësor sipas meje është qasja e shtetit karshi arsimit parauniversitar. Arsimi parauniversitar trajtohet si administratë. Deri sa të është kjo qasje, kur arsimi konsiderohet vetëm si administratë dhe tash në vitin e fundit punëtorët arsimorë i kanë bartur si zyrtarë publikë me një kategori, atëherë ne kemi me e pasë problem me funksionu dhe me i çu përpara iniciativat e mira” – u shpreh Hasani.

Sa i përket mësimit tërëditor në Prishtinë, sipas njoftimit të kësaj Komune më 17.05.2025, pritet të shtrihet edhe në gjashtë shkolla që nuk ndodhen vetëm brenda qytetit, por edhe në fshatrat e tij.

Më 02.09.2024, mësimi tërëditor ka filluar në Shkollën Model “Qamil Batalli” në Prishtinë, “Shkollën e Gjelbër”, kurse më 30.09.2024 filloi edhe në tri shkolla të tjera: “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica” e “Nazim Gafurri”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *