Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për aplikimin e subjekteve politike që synojnë të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Procesi i aplikimit ka nisur më 26 qershor dhe do të përfundojë më 13 gusht 2025.
Për të lehtësuar procedurat, KQZ ka vënë në funksion platformën elektronike: https://apliko.kqz-ks.org, përmes së cilës subjektet politike mund të aplikojnë në mënyrë digjitale.
Si funksionon aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesit e autorizuar të iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur duhet të plotësojnë të dhënat e nevojshme në platformën online. Ndërkohë, partitë politike të regjistruara dhe koalicionet tashmë e kanë marrë qasjen përmes llogarive të dedikuara dhe nuk kanë nevojë ta ndjekin këtë hap.
Hapi i dytë: Pas dorëzimit të aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do ta shqyrtojë atë. Në rast të miratimit, përfaqësuesi i autorizuar do të marrë kredencialet për qasjen në platformë për të vazhduar me aplikimin e plotë.
Për informacione shtesë rreth dokumentacionit dhe kushteve që duhet të përmbushen, KQZ fton që të kontaktoni Zyrën përkatëse në emailin: zyra.kqz@kqz-ks.org ose përmes telefonit: +383 38 200 81 010, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00.



