Ish-kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës Isa Krasniqi, ka demantuar Kryeministrin në detyrë Albin Kurti i cili në Londër ka përmendur rritjen ekonomike mesatare vjetore të Kosovës gjatë periudhës 2020-2024 ka qenë 6%, shkruan Gazeta Metro.
Krasniqi ka vlerësuar se kjo deklaratë e Kurtit nuk është e vërtetë pasi rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (GDP) për të njëjtën periudhë rezulton të jetë mesatarisht 3.6 %.
“Pse rrëjnë dhe manipulojnë kaq shumë me statistika zyrtare?! Grafiku i statistikave zyrtare si me poshtë, po thot se mesatarja vjetore e GDP-së në Kosovë, në periudhën 2020-2024 është 3,6% e jo 6% sa tha sot dikush në Londër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ndërkaq, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka takuar mërgatën shqiptare në Londër dhe ka nënvizuar rritjen ekonomike me mesatare prej 6%
“Ritja ekonomike me mesatare prej 6 për qind, gjersa janë rritur të hyrat buxhetore, janë mbështetur qytetarët dhe ndërmarrësit prodhues e forcuar lidhjet tregtare dhe investimet nga Mbretëria e Bashkuar”, citohet Kurti në këtë njoftim.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
