Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen dhe afërsinë e institucioneve të vendit me mërgatën shqiptare, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që bashkatdhetarët kanë në zhvillimin e Kosovës.
Përmes një mesazhi publik, Kurti ka theksuar se çdo vit mërgimtarët janë të mirëpritur, madje edhe më shumë se një herë brenda vitit, për vizita, çmallje dhe bashkëpunim. Ai e ka konsideruar mërgatën jo thjesht si vizitorë sezonalë, por si partnerë zhvillimi dhe bashkëkrijues të së ardhmes së vendit.
“Ne kemi gjithmonë nevojë për bashkatdhetarët tanë, si mysafirë që na vizitojnë për t’u çmallur, e si partnerë të zhvillimit,” tha Kurti.
Në mesazhin e tij, ai ka vlerësuar lidhjen emocionale dhe shpirtërore që mërgimtarët ruajnë me atdheun, duke thënë se koha e të folurit për “trurin që ikën” ka kaluar.
“Nuk flasim më për trurin që ikën, por për zemrën që nuk harron. Sepse ata që kanë ndërtuar jetë jashtë vendit, ruajnë mallin, mbajnë lidhjet dhe bartin përgjegjësinë ndaj atdheut tonë të përbashkët,” theksoi ai.
Kurti e mbylli mesazhin me një përshëndetje të ngrohtë: “Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit. Mirë se vini në shtëpinë tuaj, jemi me fat që ju kemi, e ju paçim gjithmonë!”
Ky mesazh u dha në kuadër të aktiviteteve të verës ku mërgimtarët rikthehen në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e qeverisë për të forcuar lidhjet institucionale, ekonomike e shoqërore me diasporën.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
