Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2024 ka shpenzuar 8 milionë e 540 mijë e 232 euro e 22 centë. Pothuajse shpenzime të njëjta- në total- ka bërë edhe në vitin 2023.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga Kuvendi për KALLXO.com rezulton se ky institucion ka shpenzuar 8 milionë e 148 mijë e 433 euro e 67 centë gjatë vitit 2023.
Derisa këto shpenzime milionëshe nuk janë publike për tatimapaguesit kosovarë, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike i ka siguruar raportet financiare për vitet e fundit.
Në kuadër të këtyre raporteve janë edhe shpenzimet e Kuvendit për vendime gjyqësore.
Vetëm për këto vendime, gjatë viteve 2023 dhe 2024 Kuvendi ka paguar 167 mijë e 677 euro e 15 centë.
Gjatë vitit 2023, Kuvendi përmes programit ‘Anëtarët e Kuvendit’ ka shpenzuar 159 mijë e 632 euro e 90 centë për 7 vendime gjyqësore.
Përgjatë vitit 2024, ishin tri vendime të tilla gjyqësore. Këto tri vendime, në vlerë prej 8 mijë e 44 euro e 25 centë u kryen përmes programit ‘Administrata’.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 nuk ka pasur pagesa për vendime gjyqësore.
Këto raporte financiare nuk janë publike, për arysen se sipas këtij institucioni, ato publikohen pasi të jenë miratuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe më pas në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.
“Raportet financiare të viteve të fundit kanë mbetur në proces të miratimit nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e Kuvendit.
KALLXO.com kishte publikuar edhe raporte për vizitat zyrtare të deputetëve gjatë vitit 2025, shpenzimet për pasaporta diplomatike e për shpenzimet prej gati 4 milionë euro për gjashtë muajt e parë të vitit 2025.
Kuvendi i Kosovës, ndonëse nuk ka qenë funksional gjatë vitit 2025, fillimisht për shkak të pezullimit të punës gjatë fushatës zgjedhore, e më pas si shkak i ngërçit politik në vend, ka shpenzuar 3 milionë e 905 mijë e 25 euro e 73 centë, për gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Kuvendi nuk ka arritur të funksionalizohet, anipse kryetari i ri i këtij institucioni, Dimal Basha, e shpalli si të konstituuar- gjë të cilën e hodhi poshtë së fundmi Gjykata Kushtetuese.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës, pos deputetëve dhe administratës i ka edhe kryeparlamentarin dhe katër nënkryetarë, por jo edhe të pestin- nga radhët e komunitetit serb- për të cilin veçse është bllokuar puna.
Për pagat e 120 deputetëve për gjashtë muaj, nga arka e shtetit u shpenzuan 1 milion e 631 mijë e 903 euro e 66 centë. Kurse, shpenzimet gjithsej për deputetët mbërrijnë në vlerën prej 1 milion e 685 mijë e 407 euro e 77 centë.
Përveç për paga, para nga arka e shtetit u harxhuan për transport të udhëtimeve jashtë vendit. Për shpenzimet në udhëtim, deputetët për transport harxhuan 10 mijë e 397 euro e 70 centë; për shpenzime gjatë udhëtimit 2 mijë e 814 euro e 80 centë; si dhe për akomodim 2 mijë e 514 euro e 86 centë.
Shpenzimet e telefonisë për deputetët arrijnë shumën prej 7 mijë e 506 euro e 1 cent. Teksa tek për shërbimet tjera e që shumica janë pagesa për pasaporta diplomatike, shuma shkon në 680 euro.
Ndërkaq, 1 mijë e 500 euro u shpenzuan për akomodimin e delegacioneve të huaja. Për dreka zyrtare u shpenzuan 25 mijë e 798 euro e 80 centë.
Kompensim për përfaqësim jashtë vendit pati prej 285 eurove.
Sa para shkuan për punonjësit e administratës së Kuvendit?
Për punën e administratës së Kuvendit të Kosovës, totali i shpenzimeve arrin shumën prej 1 milion e 557 mijë e 630 euro e 25 centë.
Në paga për punonjësit administratës së Kuvendit u shpenzuan 1 milion e 66 mijë e 40 euro e 27 centë.
2 mijë e 253 euro e 80 centë u shpenzuan për administratën për udhëtime brenda vendit, kurse për udhëtim zyrtar jashtë vendit u shpenzuan 4 mijë e 88 euro e 71 centë.
Shpenzime gjatë udhëtimit zyrtar, administrata shpenzoi 5 mijë e 992 euro e 52 centë, teksa për akomodim 2 mijë e 986 euro e 32 centë. Administrata si shpenzime tjera gjatë udhëtimit zyrtar, ka harxhuar 405 euro e 38 centë.
Paratë shkuan edhe në mirëmbajtjen e objektit të Kuvendit.
Për energji elektrike, Kuvendi shpenzoi 24 mijë e 213 euro e 87 centë; për ujësjellës dhe kanalizim 2 mijë e 960 euro e 16 centë; për mbeturina 1 mijë e 870 euro e 50 centë si dhe për ngrohje qendrore 49 mijë e 147 euro e 60 centë.
Shpenzimet e telefonisë fikse ishin 2 mijë e 583 euro e 96 centë, ndërsa për telefoni mobile 7 mijë e 896 euro e 66 centë.
Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi shpenzoi edhe për shërbime këshillëdhënëse e profesionale, në vlerë prej 1 mijë e 180 euro e 33 centë.
Për shërbime kontraktuese tjera u shpenzuan 5 mijë e 980 euro e 34 centë, kurse për pajisje të teknologjisë informative 12 mijë e 947 euro e 68 centë.
Si furnizim për zyre u shpenzuan 9 mijë e 922 euro e 54 centë kurse për furnizim me ushqim dhe pije u hargjuan 1 mijë e 215 euro.
Karburante për vetura Kuvendi bleu në vlerë prej 13 mijë e 908 euro e 88 centë, teksa për automjete u paguan 425 euro për t’i regjistruar; 2 mijë e 12 euro e 70 centë për t’i siguruar; dhe 50 euro taksë komunale për regjistrim të automjetit.
Mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve i kushtoi Kuvendit 16 mijë e 40 euro e 78 centë, kurse mirëmbajtja e ndërtesave 101 mijë e 426 euro e 35 centë.
Për mirëmbajtje të teknologjisë informative u shpenzuan 5 mijë e 102 euro e 60 centë e për mirëmbajtje të mobileve dhe pajisjeve 5 mijë e 834 euro e 90 centë.
270 euro e 90 centë u shpenzuan për reklama dhe konkurse.
Kuvendi shpenzoi 792 euro e 50 centë për shërbime të bufesë si dhe bleu gjashtë vetura në vlerë prej 209 mijë e 580 eurove.
Stafi mbështetës politik dhe Komisioneri parlamentar i FSK-së
Shpenzimet e përgjithshme për stafin mbështetës politik, Kuvendi i pati në vlerë prej 649 mijë e 387 euro e 89 centë
Paga për stafin mbështetës politik, për gjashtë muajt e parë të vitit u paguan 643 mijë e 30 euro e 92 centë teksa transporti i tyre për udhëtim jashtë vendit kushtoi 2 mijë e 598 euro e 64 centë dhe 522 euro shpenzimet gjatë udhëtimit zyrtar.
Shpenzimet e telefonisë mobile për këtë kategori ishin në vlerë prej 1 mijë e 684 euro e 83 centë, kurse u paguan edhe avance në vlerë prej 1 mijë e 551 euro e 50 centë.
Kuvendi ka shpenzuar edhe 12 mijë e 599 euro e 82 centë paga për Komisionerin Parlamentar të FSK-së.
Mandati i legjislaturës së tetë ka përfunduar më 22.03.2025, ndërsa seanca konstituive e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15.04.2025.
Kuvendi e ka të përcaktuar me Rregullore që një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore ta pezullojë punën. Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit kishte filluar më 11.01.2025.
I vetmi trup i Kuvendit që ruajti vijimësinë e punës në periudhën transitore nga legjislatura e tetë në të nëntën është Kryesia. Funksionaliteti i kësaj trupe është i rregulluar me aktin i cili e rregullon punën e Kuvendit.
“Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur shpërndahet, Kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Seanca konstituive kishte filluar më 15.04.2025.
Deputetët u mblodhën rreth 50 herë nga dy-tre minuta pothuajse në çdo 48 orë, por pa kryer punë.
Pas disa muajve bllokadë, raste në Gjykatë Kushtetuese e masa të përkohshme nga kjo Gjykatë, më 26.08.2025, Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e nëntë.
Më 28.08.2025, ai e mbylli seancën konstituive duke e konsideruar të konstituuar Kuvendin edhe pse legjislatura e nëntë nuk arriti të zgjedh nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Më 05.09.2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30.09.2025, në lidhje me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë joshumicë, teksa më 30.09.2025 Kushtetuesja ka dal me aktgjykim, saktësisht dispozitivin e aktgjykimit përmes së cilit e vazhdon masën e përkohshme deri në publikimin e plotë të aktgjykimit. Në këtë dispozitiv thuhet se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Deri në përfundimin e masës së përkohshme, Kuvendit nuk i lejohet të ndërmarr ndonjë veprim që çon në drejtim të krijimit të Qeverisë së re.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
