MD: Për mbrojtjen e Thaçit në Hagë janë shpenzuar mbi pesë milionë euro, pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe do të vazhdojnë

Notix Info
2 Min Read

Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24.07.2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.

Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se që nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77€ (tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent).

“Nga kjo shumë, për mbrojtjen e Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent). Pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi”, bëhet e ditur në njoftim.

Tutje, theksohet se Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar përmes përkrahjes së vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.

Ad imageAd image

Ky reagim i MD-së, vjen pasi “Fondacioni për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, ka kërkuar ndërhyrje nga Qeveria në mënyrë që mos të largohet avokati i Thaçit nga ekipi i mbrojtjes.

Ndryshe, më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *