Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të hedhë shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Ky proces, thelbësor për transparencën e procesit zgjedhor, do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.
Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së, konfirmoi për “Gazeta Express” se shorti do të hidhet më 3 ose 4 shtator 2025. “Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025,” deklaroi Elezi, duke shtuar se data dhe ora e saktë do të bëhen të ditura së shpejti.
Elezi theksoi se procesi do të jetë plotësisht transparent dhe do të mbahet në prani të përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet. “Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë, si dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje,” tha ai.
Përveç kësaj, zëdhënësi i KQZ-së njoftoi se fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale do të nisë zyrtarisht më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59.



