Achraf Hakimi ka mësuar se sa gjatë do të qëndrojë jashtë fushave pasi u bë viktimë e një ndërhyrjeje të ashpër nga Luis Diaz gjatë fitores 2-1 të Bayern Munich ndaj Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve.
Diaz pati një mbrëmje mjaft të ngarkuar në Paris, duke shënuar dy gola në pjesën e parë, përpara se të ndëshkohej me karton të kuq në kohën shtesë të 45 minutave të para në “Parc des Princes”.
Teksa pjesa e parë po i afrohej fundit, mbrojtësi i djathtë maroken i mori topin Diazit dhe nisi një vrapim përgjatë vijës, ndërsa ish-lojtari i Liverpoolit tentoi ta rikthente posedimin. Megjithatë, kolumbiani e gaboi kohën e ndërhyrjes dhe ra mbi këmbën e Hakimit.
Marokeni u largua nga fusha me lot në sy, ndërsa tifozët menjëherë shprehën frikën se ai mund të humbiste Kupën e Kombeve të Afrikës, që do të zhvillohet në vendlindjen e tij duke filluar më 21 dhjetor.
Pas ndeshjes, Diaz publikoi një mesazh në rrjetet sociale ku i uroi Hakimit “rikthim të shpejtë në fushë”. Sulmuesi do të mungojë në ndeshjen e Bayernit kundër Arsenalit më 26 nëntor.

Të mërkurën, mediumi francez RMC Sport raportoi se mbrojtësi i djathtë do të mungojë “për disa javë” dhe periudha e pritshme e rikuperimit mund ta mbajë jashtë edhe në fillimin e Kupës së Kombeve të Afrikës.
“Nuk është konstatuar frakturë: bëhet fjalë për një ndrydhje të rëndë. Janë prekur ligamentet e brendshme të kyçit të majtë të këmbës”.
“Kjo nënkupton se ai do të mungojë për gjashtë deri në tetë javë. Prandaj, është e pamundur të luajë sërish për PSG-në në vitin 2025”.
“Mbetet për t’u parë nëse marokeni do të arrijë të rikuperohet në kohë për turneun e madh kontinental në muajt e ardhshëm, Kupën e Kombeve të Afrikës”, thuhej në raport.



