Banorët e fshatit Rimanishtë të Prishtinës po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Edhe përkundër premtimeve ndër vite për zgjidhje të këtij problemi, ata vazhdojnë të mos kenë rrjet funksional të ujësjellësit.
“Banorët e Rimanishtës po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Mbi 100 shtëpi janë të privuara nga kjo e drejtë elementare për jetë. Në ditët e sotme është e pakuptueshme kjo situatë. Apeloj te Komuna e Prishtinës dhe kryetari Përparim Rama që t’i marrin marrin parasysh kërkesat tona” – ka thënë Agron Mustafa.
Një tjetër banor i këtij fshati, Haki Lahu, ka thënë se kërkesa për rrjet funksional të ujësjellësit është e kahmotshme.
“Ky fshat asnjëherë nuk ka pasur rrjet funksional të ujësjellësit, pavarësisht premtimeve të shumta që janë dhënë ndër vite. Ka qenë kërkesë e përhershme e banorëve që të kyçemi në rrjetin e ujësjellësit, por gjithçka ka mbetur vetëm në premtime”- ka deklaruar Lahu.
Sa i përket rrjetit të ujësjellësit në fshatin Rimanishtë, Komuna e Prishtinës dhe KRU Prishtina i hedhin fajin njëra-tjetrës.
“Komuna, në bashkëpunim me Drejtorinë e Investimeve Kapitale, ka realizuar projekte në këtë fshat. Është ndërtuar një rrjet i ri i kanalizimit prej 10-kilometrash. Për sa i përket rrjetit të ujësjellësit, kjo është përgjegjësi e KRU Prishtina”- ka thënë Sokol Havolli, drejtor i Infrastrukturës në Prishtinë.
Kurse KRU Prishtina ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të realizojë projekte për lidhjen e fshatit Rimanishtë me rrjetin e ujësjellësit nëse nuk është ndarë fondi përkatës nga Komuna e Prishtinës.
Përveç problemit me ujë të pijshëm, banorët e fshatit Rimanishtë janë ankuar edhe me problemin e rrugës së papërfunduar e cila lidhë fshatin Rimanishtë me fshatin Siqevë.
Agron Mustafa nga ky fshat ka thënë se rruga kryesore që vjen nga Besia në Rimanishtë dita ditës përbën rrezik për aksidente kurse për rrugën që lidhë fshatin Rimanishtë me Siqevë ka thënë se rregullimi i saj do t’ua lehtësonte lëvizjen banorëve drejt Prishtinës.
“Është rrugë ma pak se 2 km, dhe shumë pak punë duhet që të rregullohet dhe lehtëson jetën edhe lëvizjen e banorëve të Rimanishtës me kryeqendrën, Prishtinën”- ka deklaruar ai.
Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se asfaltimi i rrugës së papërfunduar Rimanishtë – Siqevë nuk është e përfshirë në kontratën ekzistuese.
“Puna në këtë fshat do të vazhdojë, por duke marrë parasysh buxhetin e komunës, është e pamundur që të gjitha problemet të trajtohen njëkohësisht”- janë përgjigjur nga Drejtoria për Investime Kapitale në Prishtinë



