Sot ka nisur zbatimi i Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) në vendet e zonës Schengen. Në vend të vulave fizike në pasaporta, do të përdoret sistemi digjital për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së, ku bën pjesë edhe Kosova.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Entry/Exit System – EES, është një sistem biometrik i cili regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, duke mbledhur të dhëna: si shenjat e gishtërinjve dhe fotografi. Ky sistem synon përshpejtimin e kontrolleve kufitare dhe eliminimin e vulave në pasaportë.
EES është një sistem i avancuar që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve që nuk janë në BE që udhëtojnë në 29 vendet e zonës Schengen, për qëndrime të shkurtra.
EES do të regjistrojë të dhëna biometrike, të tilla si: gjurmët e gishtërinjve, imazhet e fytyrës dhe informacione të tjera të udhëtimit. Po ashtu, do të modernizojë dhe përmirësojë menaxhimin e kufijve të jashtëm.
Ndër të tjera, sipas Komisionit Europian, ky sistem duke ndjekur me saktësi të dhënat, do të ndihmojë në parandalimin e imigracionit të parregullt, identifikimin e personave që kanë tejkaluar afatin e qëndrimit dhe zvogëlimin e mashtrimit me identitetin.
Sipas tyre, siguria e brendshme do të përmirësohet përmes aksesit në kohë reale në informacion të besueshëm, duke u mundësuar autoriteteve përkatëse kombëtare të identifikojnë shpejt individët që paraqesin një kërcënim për sigurinë.
Përveç kësaj, me përdorimin në rritje të kontrolleve të automatizuara kufitare, udhëtimi do të bëhet më i qetë dhe më i sigurt për të gjithë.
“Sistemi EES përmbush standardet më të larta të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, duke siguruar që të dhënat personale të udhëtarëve të mbeten të mbrojtura dhe të sigurta”- ka sqaruar Komisioni.
Nga 12.10.2025 e tutje, autoritetet kufitare, fillimisht, do të regjistrojnë në mënyrë progresive të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që kalojnë kufijtë e jashtëm të Shengenit.
“Në fund të periudhës progresive, EES do të vendoset plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar”- sqarohet më tutje.
Në muajt në vijim, Komisioni së bashku me Agjencinë e Bashkimit Europian për Menaxhimin Operacional të Sistemeve të IT-së në Shkallë të Madhe në Zonën e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë (eu-LISA), do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me vendet europiane që përdorin EES-në për të siguruar një vendosje të qetë të sistemit.
Tutje, thuhet se kur afrohet data e lansimit, udhëtarët mund të presin të shohin fushata informuese dhe aktivitete ndërgjegjësimi në pikat e kalimit kufitar, duke përfshirë aeroportet në të gjitha vendet europiane që përdorin EESU-në, si dhe në konsullatat në vendet e treta.
Ky sistem ishte planifikuar të hyjë në fuqi në nëntorin e vitit të kaluar, por ishte shtyrë për shkak se disa shtete nuk ishin të gatshme.
Liberalizimi i vizave për Kosovën ka hyrë në fuqi nga 01.01.2024.



