Në Kuvendin e Kosovës të dielën, më 26 tetor, do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Një ditë para seancës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti u pyet nga gazetarët nëse i ka votat për qeverinë e re, por i njëjti nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Më 11 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Derisa kanë mbetur edhe një ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.
Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.



