Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga hetuesit policor dhe identifikimit të personave të dyshuar lidhur me rastin e rrëmbimit të raportuar më 19 shtator 2025 në lagjen Veternik të Prishtinës, ka rezultuar se në këtë rast dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor.
Menjëherë pas kësaj, është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili në bashkëpunim me hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë ka siguruar prezencën e personave të dyshuar.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër që imiton armën AK-47.
Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Si pjesë e procedurave administrative, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtarit policor të dyshuar.
Hetuesit policor dhe ata të IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore, po vazhdojnë veprimet hetimore për të ndriçuar plotësisht rastin.
					
							
		
		
		
		
			
		
