Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë një sërë aksionesh në fusha të ndryshme të sigurisë, duke realizuar 221 urdhëresa të gjykatës, nga të cilat 56 kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe detyra të tjera të natyrave të ndryshme.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Policisë në Facebook, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar, pasi kanë kryer obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Në kuadër të aktiviteteve të tyre, Policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar 18 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe qindra municione, të cilat janë konfiskuar në raste të ndara.
Ndërkohë, në aspektin e sigurisë rrugore, janë shqiptuar 4007 masa administrative me gjobë për kundërvajtje të ndryshme ndaj kodit të komunikacionit. Prej tyre, 464 gjoba janë vendosur nga veturat inteligjente dhe ato me radar mobil.
Policia ka theksuar se veprimtaritë dhe kontrollet do të vazhdojnë me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.



