Policia e Kosovës ka njoftuar se plani operacional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është realizuar me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
“Angazhimi dhe zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”- thuhet në komunikatën e policisë.
Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se zbatimi i planit, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, ka ndikuar pozitivisht që procesi zgjedhor të kalojë në mënyrë të qetë dhe pa incidente madhore që do të cenonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Policia ka iniciuar dy raste për “cenim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe një tjetër në Kllokot. Po ashtu, janë evidentuar 11 raste për “fotografim të votës”, të cilat janë regjistruar si “shënime zyrtare” me autorizim të prokurorëve kompetentë”- thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Personat e shoqëruar në këto raste, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt, thekson më tej Policia.
Ndërkohë, sa i përket incidentit me armë zjarri në Komoran, ku u dëmtua një veturë dhe u shoqëruan dy persona për intervistim, Policia thekson se “ky rast nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë nën autorizimin e prokurorisë kompetente”.
Po ashtu, potencohet se janë trajtuar rreth 10 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat “në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion”- thekson më tej Policia.
Në përfundim të njoftimit, Policia e Kosovës vlerëson se plani operacional është zbatuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, përkushtimit të zyrtarëve policorë dhe sjelljes së përgjegjshme të qytetarëve.
“Faleminderojmë të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin e treguar me Policinë e Kosovës,” përfundon komunikata zyrtare.



