Autoritetet në kryeqytetin indian, Delhi, ndërmorën pa sukses një provë të krijimit të shiut artificial, një proces që konsiston në ndryshimin e reve për të prodhuar reshje, në përpjekje për të luftuar ndotjen e rëndë të ajrit në qytet të martën.
Krijimi i shiut artificial bëhet duke hedhur në re grimca të vogla, zakonisht jodid argjendi, për të nxitur reshje. Kjo teknikë përdoret në shumë vende të botës, por ekspertët dyshojnë në efikasitetin e saj si një masë afatgjatë për kontrollin e ndotjes së ajrit.
Një ekip nga Instituti Indian i Teknologjisë (IIT) në Kanpur, në bashkëpunim me qeverinë e Delhit, zhvilloi provën mbi disa lagje të qytetit, ndërsa një shtresë e dendur smogu kishte mbuluar zonën. Por përpjekja,e para pas 53 vitesh, u vlerësua si “jo plotësisht e suksesshme” për shkak të mungesës së lagështisë në ajër.
Gjatë dy javëve të fundit, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) në Delhi, që mat nivelin e grimcave të imta PM 2.5 në ajër, të cilat mund të bllokojnë mushkëritë, ka luhatur mes 300 dhe 400, gati 20 herë mbi kufirin e pranueshëm.
Të martën, autoritetet përdorën një avion Cessna për të lëshuar flakadanë me jodid argjendi dhe klorur natriumi në atmosferë.
Në një deklaratë, IIT Kanpur tha se, pavarësisht mungesës së reshjeve, u regjistrua një ulje e matshme e grimcave ndotëse pas eksperimentit të së martës, “duke treguar se edhe në kushte me lagështi të kufizuar, krijimi artificial i shiut mund të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit”.
Megjithatë, drejtori i institutit, Manindra Agarwal se kjo nuk mund të shihet si një zgjidhje afatgjatë për problemin kronik të ndotjes në Delhi.
“Një nga masat e suksesit është nëse bie shi, gjë që nuk ndodhi,” tha Agarwal. “Përmbajtja e lagështisë në re dje [të martën] ishte shumë e ulët. Do të vazhdojmë përpjekjet tona në të ardhmen e afërt.”
Sipas Ministrit të Mjedisit të Delhit, Manjinder Sirsa, prova pritet të përsëritet në javët e ardhshme, kur nivelet e lagështisë në re të rriten sërish.
Sipas Institutit Indian të Meteorologjisë Tropikale, eksperimenti i parë i krijimit të shiut në Delhi u krye në vitin 1957, dhe i dyti në 1972.
Ndërsa ato përpjekje kishin për qëllim menaxhimin e thatësirës, kjo ishte hera e parë që procesi përdorej për të luftuar ndotjen, tha Agarwal.
Qyteti kishte planifikuar një përpjekje të ngjashme edhe në vitin 2023, por plani nuk u realizua për shkak të vonesave në miratimin gjyqësor.
Në atë kohë, shkencëtarët kishin theksuar gjithashtu se bëhej fjalë për një strategji të kushtueshme me shkallë të ulët suksesi.
Procesi i krijimit të shiut përshpejton kondensimin e lagështisë në re për të krijuar reshje. Granulat e kripës veprojnë si grimca akulli që nxisin formimin e kristaleve të akullit në re. Lagështia në re ngjitet më pas te këto kristale dhe kondensohet në shi.
Por ky proces nuk funksionon gjithmonë dhe varet nga sasia e duhur e lagështisë dhe e lagështirës në re që të lejojë formimin e bërthamave të akullit.
“Nuk ka ende mjaftueshëm prova shkencore se sa mund të ulet AQI përmes krijimit të shiut artificial,” tha eksperti i ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë, Abinash Mohanty.
“Gjithashtu, nuk dimë cilat janë efektet e tij, pasi në fund të fundit po përpiqesh të ndryshosh proceset natyrore dhe kjo gjithmonë ka kufizime.”
Në nivel global, përpjekjet për krijimin e shiut kanë dhënë rezultate të përziera. Kina është mburrur me suksesin e saj në menaxhimin e reshjeve përpara mbajtjes së Lojërave Olimpike, duke përdorur raketa, topa dhe dronë për të realizuar procesin.
Megjithatë, në Emiratet e Bashkuara Arabe janë ngritur dyshime ndaj teknikës, sidomos pas përmbytjeve të mëdha që goditën Dubain vitin e kaluar./tvklan



