Pse gjithçka që na lidh, po na ndan?

Notix Info
3 Min Read

Një reflektim mbi lidhjet e zhurmshme dhe ndarjet e padukshme.

Në ëndërr u njohëm si dikur, pa fjalë, pa frikë, pa largësi.
Por mëngjesi s’kish mëshirë, na gjeti në një univers të panjohur.

Kjo është jeta jonë, një kohë në të cilën lidhjet po bëhen iluzion, ndërsa ndarjet realitet.
Sa më afër që teknologjia na afron fizikisht, aq më larg na ndan shpirtërisht.
Sot, më shumë se kurrë, jemi pranë njëri-tjetrit, por s’e di pse, kaq papritur, u bëmë të huaj si asnjëherë më parë.

Komunikimi tani është më i shpejtë se dje, por pothuajse bosh.
Dhe në vend që t’i japim botës kuptim, kemi filluar t’ia marrim atë.
Pse vallë, gjërat e kanë humbur vlerën dhe funksionin për të cilin janë krijuar?

Ad imageAd image

Ekuilibrat e jetës filluam t’i rrënojmë, sepse harruam veten ta kontrollojmë, dhe për pasojë, për një çast, çdo gjë është jashtë kontrollit.

A ke menduar ndonjëherë se një pajisje, pa shpirt e pa ndjenja, do të të kontrollojë një ditë?

Një klikim larg është çdo fytyrë që njohim, por shumë më larg janë ndjenjat që kemi harruar si t’i shprehim.
Nuk dimë më të duam, të ndihmojmë dhe si të dëgjojmë njëri-tjetrin.
Teknologjia, e krijuar për të afruar botën, po kthehet ngadalë në mjetin që po e copëton lidhjen njerëzore në pjesë të vogla dhe të ftohta.

Shikoj fëmijët, janë më të lidhur me ekranet sesa me sytë e prindërve.
Mos të flasim për natyrën, të cilës ia kanë harruar edhe ngjyrat, luleve aromën.
Dikur, s’na mjaftonte dita për të qëndruar jashtë, edhe netët i ndriçonim me fytyrat tona, si hëna.

Sa herë, për pak, kemi humbur shumë?
Gjithmonë ka qenë diçka e vogël që na ka bërë të humbim gjëra të mëdha, sepse në fund të fundit, për gjëra të mëdha gjithmonë duhet të sakrifikojmë diçka.

Duhet ta kërkojmë në heshtje të shkuarën, jo për të jetuar në të, por për të shpëtuar të tashmen dhe për të mos e humbur të ardhmen.
Sepse jemi bërë një simfoni e çrregullt, orkestër e pasinkronizuar.

Pse nuk kemi guxim të ndryshojmë?
Pse jemi të dobët, dorëzohemi lehtë?
Si disa ndjenja që jetojnë vetëm në ëndërr, dhe zgjimi ua kujton njerëzve se s’kanë pasur guxim t’i ndjejnë në jetë.

Sepse ndoshta, të zgjohesh është një mundësi, por ne nuk po e shohim!

Nëse bota është e tillë, ti zgjidh një rrugë tjetër.
Vetëdijësimi nuk është fundi i ëndrrës, por fillimi i saj.
Nëse gjithçka përreth është e njëjtë, le të mos jesh edhe ti.
Mos e lejo dritën brenda teje të shuhet nga shkëlqimi i një ekrani.

– Leotrim Vladi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *