Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) reagon ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave, përfshirë Ferizajin, Lipjanin dhe komuna të tjera, që ka ndodhur sot, më 15 korrik 2025.
Ky bllokim i radhës po e paralizon funksionimin e institucioneve komunale dhe rrezikon ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, përfshirë shërbimet publike, dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës. Edhe pse këto bllokime ndërlidhen me vendime përmbarimore, ato janë rezultat i mungesës së zgjidhjes nga niveli qendror për detyrimet që nuk janë krijuar nga vetë komunat, siç është rasti i kontratave kolektive.
“Komunat nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendime që nuk i kanë marrë vetë. Bllokimi i komunave është bllokim i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe duhet të marrë fund menjëherë.”
AKK kërkon lirimin urgjent të xhirollogarive dhe zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe financiare, që mbron funksionimin e komunave dhe respektimin e autonomisë së pushtetit lokal.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			 
		
