Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar sot zhvillimet më të fundit të projektit “Prishtina pa barriera”, një iniciativë e cila synon krijimin e një kryeqyteti më të aksesueshëm dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Në konferencë ishte e pranishme edhe Elvana Shala, ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Këshillin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IHRC), e cila ka mbështetur fuqishëm këtë projekt që nga fillimi. Fushata fokusohet në standardizimin e hapësirave publike duke respektuar parimin e qasjes universale, me qëllim që lëvizja nëpër qytet të jetë e lirë dhe pa pengesa, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta.
Sipas Ramës, ky projekt është një hap konkret drejt ndërtimit të një qyteti më gjithëpërfshirës, ku rrugët, trotuaret, hapësirat e gjelbra dhe objektet publike janë të dizajnuara për t’u përdorur nga të gjithë, pa dallim. Ai theksoi se standardizimi i infrastrukturës nuk është vetëm çështje estetike apo teknike, por një domosdoshmëri për barazi dhe siguri.
Elvana Shala shtoi se kjo nismë është një shembull pozitiv që mund të frymëzojë edhe komunat e tjera në Kosovë, duke theksuar se aksesueshmëria është pjesë e të drejtave themelore të njeriut dhe një tregues i zhvillimit shoqëror.
Projekti “Prishtina pa barriera” parashikon ndryshime konkrete, përfshirë:
- Vendosjen e rampave dhe rrugëve të sheshta për karrige me rrota;
- Sinjalistikë të qartë dhe të lehtë për t’u kuptuar;
- Ndriçim të mjaftueshëm për siguri gjatë natës;
- Adaptimin e hapësirave publike për fëmijë, të moshuar dhe persona me shikim të dobët.
Rama përfundoi duke thënë se ky është vetëm fillimi i një procesi që do të transformojë mënyrën se si qytetarët përjetojnë dhe përdorin hapësirat publike në Prishtinë, duke krijuar një qytet të hapur për të gjithë.



