Rasti i gjyqtarit Radomir Laban, Gjykata Kushtetuese del me një sqarim

Notix Info
5 Min Read

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të martën se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Osmani tha se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilëson si figurë problematike për sigurinë e shtetit.

E për këtë, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një sqarim rreth gjyqtarit Radmoir Laban, transmeton Telegrafi.

Në sqarimin thuhet se ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri.

Ad imageAd image

“Bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Gjykata Kushtetuese ka treguar se Laban është i punësuar që nga viti 2011.

“Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë”,  bëhet e ditur në reagim.

Po ashtu, tutje theksohet se Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Osmani ka deklaruar se gjyqtari Laban përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues të vendit.

“Caktimi i tij në një çështje të një rëndësie të tillë kushtetuese është thellësisht shqetësues dhe mund të krijojë pasoja serioze për institucionet tona,” theksoi presidentja.

Presidentja ka kërkuar vëmendje të shtuar ndaj integritetit të institucioneve kushtetuese dhe sigurisë së shtetit, duke nënvizuar se nuk mund të lejohet që çështje të ndjeshme të trajtohen nga individë për të cilët ekzistojnë dyshime të thella për rrezikshmëri ndaj rendit kushtetues të Kosovës.

Tutje theksoi se gjyqtari Llaban nuk është emëruar nga ajo, por në vitin 2018, dhe se procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim të marrë nga dy të tretat e anëtarëve të kësaj gjykate, çka e bën të pamundur çdo veprim të Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.

Kush është Radomir Laban?

Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet

TAGGET:
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *