Policia ka dhënë detaje mbi një ngjarje të rëndë që ka ndodhur më 4 gusht në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit, ku është gjetur një trup i pajetë i varrosur në një arë. Viktima, një burrë rreth moshës 50-60 vjeç, ishte raportuar më parë si person i zhdukur.
Sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, trupi i pajetë ishte në gjendje të freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të policisë, përfshirë prokurorin kujdestar dhe ekipin e zhvarrimit, të cilët kanë nxjerrë trupin nga vendi ku ishte groposur. Identiteti i viktimës nuk është konfirmuar ende.
Në lidhje me rastin, autoritetet kanë intervistuar katër persona si dëshmitarë. Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje për motivet apo ndonjë të dyshuar të mundshëm.
Policia dhe prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.



