Gjykata Speciale ka marrë vendim që më 15 shtator të nis paraqitja e provave nga mbrojtja.
Kështu dha urdhrin gojor gjykatësi Smith.
“Caktojmë datën 15 shtator për fillimin e paraqitjes së provave të mbrojtjes. Më 25 shtator që është e enjte, atë ditë nuk do të kemi seancë, datat e tjera ngelen siç janë”, tha Smith.
Sipas gjykatësit, mbrojtja e Thaçit synon të thërrasë 11 ose 12 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Disa prej tyre mund të dëshmojnë edhe sipas Rregullës 154.
Gjykatësi kërkoi nga ekipet e mbrojtjes që të tregojnë se kur do të mund ti përfundojnë dëshmitë.
Mbrojtja e Thaçit tha se besojnë që deri në fund të nëntorit.
“Deri në fund të nëntorit të përfundojmë me të gjitha dëshmitë dhe të na jepet pastaj kohe më mbrapa ngjashëm sikur me prokurorinë. Ne do përpiqemi ti dorëzojmë mocionet në mënyrë graduale, dy do të jenë para 15 shtatorit”, tha avokati Mishetiq.
Mishetiq tha se dëshmitari 1DW006 dhe 1DW008 do të jenë dëshmitarë që do të dëshmojnë në sallën e gjyqit dhe jo sipas Rregullës 154. Ndërsa, për pjesën tjetër, Mishetiq tha se nuk ka ndryshime.
Ndërsa, Aiden Ellis pohoi se nga 5 dëshmitarët e tyre, një do të dëshmojë sipas Rregullës 155, dy sipas Rregullës 154 dhe dy sipas Rregullës 153.
Mbrojtja e Krasniqit gjithashtu nuk dha datë të saktë.
“Për dy dëshmitarët e rregullt që kemi mendoj se na duhet një javë jo më shumë. Është vështirë të them se kur do të përfundoj me paraqitjen e provave sepse ne varemi nga mbrojtja e Thaçit. Sa i përket mocioneve do ti paraqesim edhe ne në mënyrë graduale”, tha mbrojtja e Krasniqit



