Rrëmbyesit në Nigeri kanë vrarë të paktën 35 persona që i rrëmbyen nga një fshat në shtetin verior të Zamfarës, pavarësisht se janë paguar “shpërblime” për lirimin e tyre, tha një zyrtar lokal për BBC-në.
Në vitet e fundit, bandat kriminale në rajon, të njohura në vend si banditë, kanë filluar të rrëmbejnë njerëz si një mjet për të mbledhur para.
Në këtë incident, 56 persona u morën nga fshati Banga, zona e qeverisjes vendore Kauran Namoda, në mars.
Personat e armatosur më pas kërkuan një shpërblim prej një milion naira (655 dollarë; 485 £) për çdo rob, raportojnë mediat në Nigeri.
Kryetari i qeverisjes vendore Manniru Haidara Kaura tha se shumica e të vrarëve ishin të rinj që “u masakruan”.
“Ajo që ndodhi ishte se banditët kërkuan para shpërblimi dhe pas disa debateve, atyre iu dha ajo që kërkuan. Më pas ata liruan 18 persona, përfshirë 17 gra dhe një djalë të vogël, të shtunën”, shtoi Haidara.
“Vetëm ata [personat e armatosur] e dinë pse i vranë. Janë njerëz të pandjeshëm dhe të pashpirt. Harrojnë se po vrasin vëllezërit e tyre dhe të gjithë do të takohemi para Allahut”.
Gjashtëmbëdhjetë nga ata që u liruan të shtunën janë në spital duke marrë trajtim, ndërsa trupat e 38 të vrarëve nga banditët nuk ka gjasa të kthehen pasi në këto raste kufomat rrallë lirohen.



