Gati një milion euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit, deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, që nga muaji prill e deri në muajin gusht 2025, kur edhe e kanë marrë pagën e fundit nga institucioni më i lartë legjislativ në vend. Pagën e shtatorit, ndërkohë, presin ta marrin javën tjetër.
Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro, por ata realizojnë edhe shtesa nga përvoja e punës.
Që nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, Kuvendi ende nuk ka arritur të bëhet funksional dhe, si rrjedhoj, nuk ka arritur të zgjedhë Qeverinë e re.
Por, kjo nuk i ka penguar deputetët që të paguhen nga arka e shtetit.
KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka pranuar të dhënat e pagesave të kryera për deputetët që nga muaji prill.
Nëse mblidhen pagat kalimtare që janë paguar në fund të prillit, së bashku me pagesat për periudhën pas fillimit të seancës konstituive, deputetët i kanë kushtuar buxhetit saktësisht 942 mijë e 424 euro e 80 centë.
95,633.93 euro paga janë paguar në prill, 234,998.98 euro në maj, në qershor 199,907.67 euro, në korrik 205,831.92 euro dhe 206,052.30 euro në gusht.
Kjo shumë është mbledhur pa llogaritur pagat që marrin 17 deputetët që janë pjesë e Qeverisë, për shkak se ata janë paguar si anëtarë të kabinetit qeveritar.
Me fjalë të tjera, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Artane Rizvanolli, Donika Gërvalla, Ejup Maqedonci, Elbert Krasniqi, Emilija Rexhepi, Faton Peci, Fikrim Damka, Hajrulla Çeko, Hekuran Murati, Liza Gashi, Nenad Rashiq, Rozeta Hajdari dhe Xhelal Sveçla nuk hyjnë në kalkulimin e pagave të deputetëve.
Deputetët do të paguhen edhe për muajin shtator, muaj i cili po kalon i gjithi në masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, rrjedhimisht do të marrin paga pa bërë asgjë, teksa pritet që t’i kushtojnë buxhetit mbi 200 mijë euro.
Kuvendi i Kosovës, ka sqaruar për KALLXO.com se deputetët Haxhi Avdyli dhe Adriana Matoshi nuk kanë marr pagën kalimtare për muajin prill pasi që kishin gjeneruar të hyra të tjera. Atyre gjithashtu iu bë ndalesë paga kalimtare e muajit mars.
Glauk Konjufcës dhe nënkryetarëve të Kuvendit të legjislaturës së tetë, deri më 15 prill iu krye pagesa edhe për funksionet që i kishin pasur, kurse pas 15 prillit janë paguar vetëm si deputetë të legjislaturës së nëntë.
Kuvendi ka treguar po ashtu se Enver Hoxhajt dhe Kujtim Shalës që ishin nënkryetarë gjatë legjislaturës së tetë, iu është ndaluar pagesa në vlerë prej 189.94 euro, pasi gjatë periudhës 15 prill deri më 19 prill, nuk kanë ofruar dëshmi me shkrim se nuk gjenerojnë të hyra tjera financiare.
Seanca konstituive kishte filluar më 15.04.2025.
Deputetët u mblodhën rreth 50 herë nga dy-tre minuta pothuajse në çdo 48 orë, por pa kryer punë.
Pas disa muajve bllokadë, raste në Gjykatë Kushtetuese e masa të përkohshme nga kjo Gjykatë, më 26.08.2025, Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e nëntë.
Më 28.08.2025, ai e mbylli seancën konstituive duke e konsideruar të konstituuar Kuvendin edhe pse legjislatura e nëntë nuk arriti të zgjedh nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Më 05.09.2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30.09.2025, në lidhje me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë joshumicë.
Deri me këtë datë, Kuvendit nuk i lejohet të ndërmarr ndonjë veprim që çon në drejtim të krijimit të Qeverisë së re.
Pagesat- edhe pa punuar fare- megjithatë nuk ndalen.



