Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka refuzuar kërkesën e paraqitur më 19 maj nga autoritetet komunale në Preshevë për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc–Llojan, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Në përgjigjen zyrtare, Serbia ka theksuar se rruga kalon përmes fshatit Miratoc dhe mungojnë kushtet infrastrukturore për kontroll kufitar, duke mos lejuar kështu funksionimin e vendkalimit.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke e quajtur të papranueshëm. “Ky arsyetim nuk qëndron dhe është i papranueshëm. Shumica e vendkalimeve kufitare të këtij niveli në rajon, përfshirë ato ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kalojnë përmes apo pranë vendbanimeve. Shembulli më konkret është vendkalimi ‘Dheu i Bardhë’, rruga e të cilit kalon nëpër fshatrat Lluçan dhe Konçul, zona të banuara ku çdo ditë qarkullojnë edhe mjete të rënda transporti. Asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje funksionimi i atij vendkalimi për shkak të kalimit nëpër vendbanime”, ka deklaruar ajo.
Sipas Sinanit, nga komunikimi me institucionet e Maqedonisë së Veriut është bërë e qartë se pengesat nuk janë teknike, por politike. “Kemi të bëjmë me një pengesë teknike, por me një problem politik, përkatësisht me mungesë të vullnetit institucional nga ana e shtetit serb,” tha ajo.
Ajo theksoi se në takimet me përfaqësues të Trupit Koordinues apo Ministrisë për Administratë Lokale ishte pretenduar se procesi po zvarritej nga pala maqedonase, por tashmë është vetë Ministria e Brendshme e Serbisë që konfirmon të kundërtën: “tashmë është vetë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë që konfirmon të kundërtën: pengesat burojnë nga pala serbe”.
Kryetarja e Preshevës theksoi gjithashtu se do të vazhdojnë përpjekjet për realizimin e kësaj kërkese: “Si institucion lokal, do të vazhdojmë të kërkojmë me këmbëngulje dhe të punojmë me përkushtim për realizimin e kësaj kërkese të drejtë e legjitime të qytetarëve tanë. Hapja e vendkalimit Miratoc–Llojan është një domosdoshmëri për lëvizje të lirë, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim ndërkufitar.”
Sipas saj, kjo çështje është më shumë se një kërkesë komunale. “Institucionet shtetërore duhet të jenë konsekuente dhe të veprojnë mbi bazën e dokumenteve që vetë i kanë nënshkruar. Kjo nuk është thjesht një kërkesë lokale, është një e drejtë e qytetarëve tanë,” ka përfunduar Sinani.
Aktualisht, fshatin Miratoc të Preshevës dhe atë Llojan të Kumanovës i ndajnë vetëm 2 kilometra, por për të kaluar nga njëri në tjetrin duhet përshkuar rreth 40 kilometra dhe përballuar pritje të gjata në kufi. Para vendosjes së kufirit shtetëror, lidhja mes këtyre zonave bëhej përmes një magjistraleje që lidhte Preshevën dhe Kumanovën përmes fshatrave shqiptare, duke ofruar një qarkullim shumë më të shpejtë dhe të lehtë.



