Sllovenia nga 1 janari i vitit të ardhshëm vendos javë pune më të shkurtër për punëtorët mbi 58 vjeç ose ata me të paktën 35 vite përvojë pune.
Këta punëtorë do të kenë mundësinë të zgjedhin mes të premtes së lirë, fundjavës së zgjatur ose ditës së shkurtuar të punës prej gjashtë orësh.
“E premtja e lirë, fundjava e zgjatur ose gjashtë orë punë në ditë. Punëtorët mbi 58 vjeç ose ata me të paktën 35 vite përvojë pune do të mund të bien dakord me punëdhënësit e tyre për një javë pune të tillë”, njoftoi sekretari shtetëror i Ministrisë së Punës, Dan Juvan.

Bëhet fjalë për një model që Ministria e Punës e quan “80-90-100”, që do të thotë se punonjësit do të punojnë 80 për qind të orarit standard të punës, do të marrin 90 për qind të pagës, ndërsa kontributet do të paguhen në masën e plotë, 100 për qind.
Kjo mundësi do të jetë në dispozicion të punëtorëve nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe ligji që e mundëson këtë është tashmë miratuar.
Iniciativa është krijuar me qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe produktivitetit, veçanërisht për punonjësit më të moshuar dhe ata me përvojë më të gjatë pune.
Sllovenia kështu i bashkohet një numri vendesh evropiane që po eksperimentojnë me orar më fleksibël dhe më të shkurtër pune, si Suedia, Finlanda, Islanda dhe Holanda.
 
					 
							 
		 
		 
		 
		
 
			
 
		
